Ne rrjet

Drejt vaksinës kundër koronavirusit, një kompani propozon një teknologji të patestuar më parë

Vaksina e parë e mundshme kundër koronavirusit është në fazën që pret dritën jeshile të autoriteve për t’u testuar tek njerëzit. Produkti është vepër e komanisë bioteknologjike, “Moderna, që pretendon se ka një kurë në bazë të sekuencës së ADN-së së koronavirusit.

Është një ritëm rekord për zhvillimin e vaksinave. Disa kompani të tjera gjithashtu janë duke punuar për të futur vaksinat e tyre në prova klinike. Por, testimi i një vaksine për sigurinë dhe efikasitetin do të zgjasë 12-18 muaj ose më shumë, thonë zyrtarët. Zëri i Amerikës thotë se çfarëdo produkti që do të rezultojë përmes testimit, do të përballet me një pengesë tjetër: prodhimin dhe shpërndarjen e mjaft vaksinave për të përmbushur kërkesën për atë që mund të jetë një pandemi globale.

Problemi: Teknologji e patestuar

Vaksina e kompanisë “Moderna” është një nga disa kandidatura që përmbajnë një teknologji të re që nuk është përdorur kurrë tek njerëzit. Çdo vaksinë deri më tani ka përfshirë pjesë të mikrobit në fjalë. Ato paralajmërojnë sistemin imunitar të pacientit që të mbajnë vëmendjen tek mikrobi. Vaksina më e fundit nga kompania “Moderna”, përmban vetëm udhëzime gjenetike. Trupi i vetë pacientit i përkthen ato udhëzime në pjesë të mikrobeve që paralajmërojnë sistemin imunitar.

Kjo lloj vaksine gjenetike prodhohet shumë më shpejt sesa vaksinat tradicionale. Shkencëtarëve u mjafton të dinë kodin gjenetik të mikrobit, i cili u bë i disponueshëm brenda disa javësh nga shkencëtarët kinezë pas zbulimit të koronavirusit të ri. Kjo është mënyra se si kompania “Moderna” mund të përftojë një vaksinë nga provat klinike në kohë rekord.

Por, kompania bioteknologjike me eksperiencë 10-vjeçare dhe seli në Masaçusets nuk ka sjellë kurrë më parë një vaksinë në treg. Nëse vaksina e saj vërtetohet se është e sigurt dhe efektive kërkesa globale mund të jetë në qindra miliona, apo edhe miliarda doza. Kompania nuk iu përgjigj pyetjeve të Zërit të Amerikës në lidhje me aftësinë e saj prodhuese.

"Disa nga këto teknika shumë inovative janë bërë nga kompani shumë të vogla që nuk kanë përvojë në prodhimin e vaksinave në një shkallë të madhe që do të nevojitet për të imunizuar botën", tha Amesh Adalja, një studiues me përvojë në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë e Shëndetit . "Do të duhet të bëhet një diskutim rreth asaj se si ne do të zhvillojmë kapacitetin prodhues".

Dy kompani të tjera të vogla bioteknike, “Inovio” me qendër në Shtetet e Bashkuara, dhe “CureVac” me qendër në Gjermani, po punojnë edhe për vaksinat me bazë gjenesh.

Biznes i rrezikshëm

Ekspertët thonë se për kompanitë me përvojë prodhuese në shkallë të gjerë, prodhimi i një vaksine urgjente është një rrezik i padëshirueshëm biznesi. Qeveritë dhe partneritetet publike-private kanë blerë vaksina në disa shpërthime të mëparshme, por çdo rast është i ndryshëm dhe jo çdo skenar përfundon mirë.

Disa kompani u goditën financiarisht, ndërsa po punonin për të zhvilluar vaksina kundër Ebolës gjatë epidemisë në vitet 2013-2016 në Afrikën Perëndimore.

"Nuk ka dyshim se shumë prej tyre humbën shumë para duke u përpjekur për të prodhuar një vaksinë ndaj Ebolas", tha Ronald Klain, i cili koordinoi përgjigjen e qeverisë amerikane ndaj shpërthimit nën Presidentin Barack Obama. Zoti Klain foli në një aktivitet të Institutit Aspen në shkurt.

Një vaksinë për Ebolan ja doli të arrijë vijën e finishit, e prodhuar nga ndërmarrja farmaceutike me bazë në SH.B.A., Merck, me rreth 175 milion dollarë financim nga qeveria amerikane. Zyrtarët e shëndetësisë po e përdorin atë për të ndihmuar në kontrollin e shpërthimit aktual në Republikën Demokratike të Kongos.

Prodhuesi i vaksinave Sanofi, ndërkohë, është larguar nga zhvillimi i një vaksine për virusin Zika. Kompania franceze ishte në negociata në vitin 2017 për të zhvilluar testime klinike të një vaksine për këtë virus për llogari të ushtrisë amerikane dhe për ta prodhuar atë nëse vaksina do të provohej e sigurt dhe efektive.

Kompania Sanofi donte një licencë ekskluzive. Por kritikët, përfshirë senatorin amerikan, Bernie Sanders, tani kandidat për President, shkruajtën në një “New York Times” se licenca do t'i jepte monopol Sanofit dhe kompania "do të jetë në gjendje të vendosë çfarëdolloj çmimi astronomik që dëshiron për vaksinën".

Meqenëse Sanofi kishte marrë tashmë 43 milionë dollarë nga taksapaguesit amerikanë dhe do të merrte miliona më shumë për të shpërndarë vaksinën nëse ajo funksiononte, kritikët thanë se kompania duhet të garantojë që vaksina do të ishte e përballueshme për të gjithë ata që kishin nevojë për të. Sanof dhe ushtria amerikane nuk arritën një marrëveshje dhe vaksina mbeti pezull.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë