Politike

Drafti i Hajdarit për listat, Gjiknuri: Të presim edhe PD-LSI, ndryshe e kalojmë vetë

Një letër e të dielës e Rudina Hajdarit që kërkonte mbledhjen e Këshillit Politik, ka përcaktuar shumëçka mbi ecurinë e këtij këshilli, nëse do t’i referohemi përgjigjes që ajo ka marrë nga bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri. Me pak fjalë, Hajdari kërkonte mbledhjen ditën e martë për të diskutuar mbi një draft që ajo kishte depozituar që synonte hapjen e listave 100%.

Nga ana e tij, Gjiknuri ka kërkuar që të pritet PD- LSI për të sjellë edhe ata një draft me qëllim që më pas në këshill të diskutohet mbi propozimet konkrete. Nëse kjo nuk ndodh, Gjiknuri ka paralajmëruar se reflektimet e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor do të bëhen nga grupi i punës në komisionin e Ligjeve. Për pasojë, ai i ka kërkuar Hajdarit që një kopje të draftit që ajo ka propozuar ta depozitojë edhe pranë këtij grupi në Kuvend.

Hajdari

Përmes një projektligji se si duhet të reflektohen ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor, Rudina Hajdari fokusohet tek domosdoshmëria e listave të hapura 100%, duke sjellë një tjetër propozim nga ai i PS. Ajo kërkoi mbledhjen e Këshillit Politik ditën e martë  për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për këtë çështje.

Gjiknuri

Si fillim, në përgjigjen e tij për Hajdarin, Gjiknuri nënvizon se edhe propozimi i PS-së fokusohet tek hapja e listave 100%.

“Duke konfirmuar se jemi plotësisht të gatshëm të diskutojmë rreth propozimeve tona me synim arritjen e një produkti me konsensus sa më të gjërë, në cilësinë e përfaqësuesit të mazhorancës kërkova nga përfaqësuesit e tjerë të Këshillit Politik që të sjellin opinionin në raport me draftin tonë ose propozime alternative.

Duke qenë se Këshilli Politik u krijua si strukturë ekstra-parlamentare, me synim primar përfshirjen e kontributit të opozitës jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore, do kërkoja mirëkuptimin tuaj për ti dhënë kohën e nevojshme edhe përfaqësuesve të opozitës jashtëparlamentare që të paraqesin dhe ata propozimet e tyre konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor. Duke pasur kontributin konkret me drafte nga të gjitha palët në Këshill, mund të kryejmë më pas procesin e negocimit në këtë strukturë ekstra-parlamentare, për një produkt me konsensus sa më të gjerë të mundshëm” .

Sipas tij, në rast se opozita jashtëparlamentare, brenda afateve që ka caktuar Kuvendi, nuk do të paraqesë amendamente konkrete të Kodit Zgjedhor, atëherë ai e fton Hajdarin që projektligjin e përgatitur ta paraqesë pranë komisionit të Ligjeve.

“Ju si opozitë parlamentare keni gjithsesi të drejtat dhe hapësirat e plota ligjore për t’i bërë amendamentet tuaja pjesë të diskutimit që do duhet të zhvillohet padiskutim në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe grupin përkatës të punës ku përfaqësohet si mazhoranca ashtu edhe minoranca në Kuvend.

Duke ju ftuar të depozitoni një kopjo të propozimeve tuaja zyrtarisht edhe pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, mbetemi në pritje që opozita jashtëparlamentare të depozitojë në Këshillin Politik ose në Kuvendin e Shqipërisë propozimet konkrete për amendamentet e Kodit Zgjedhor në zbatim të ndryshimeve Kushtetuese të 30 Korrikut”, shkruan Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë