Drejtësia

Dosjet e Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit në SPAK, do hetohen si grup kriminal

Gazeta Si - SPAK ka tërhequr nga Prokuroritë e rretheve disa nga dosjet ku janë të përfshirë Talo Çela e Nuredin Dumani.

Pas operacionit ‘Plumbi i Artë’, Prokuroria e Posaçme do të marrë në zotërim disa nga çështjet e pezulluara, të cilat do t’i hetojë si grup kriminal.

LEXO EDHE:
- Kush e tradhtoi Dumanin? Polici-SPAK nën akuzë sapo nisën të flasin ‘të penduarit’
- Si u masakrua gruaja që i kishin vrarë djalin. Roli i Dumanit dhe Talo Çelës, kush është porositësi që pagoi 40 mijë euro

Gjatë operacionit, u lëshuan 32 urdhërarreste, 9 ishin në burg, 9 u arrestuan dhe 14 vijojnë në kërkim.

Ndërkohë që 8 grupe kriminale u goditën, pasi Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha bashkëpunuan me drejtësinë dhe rrëfyen krimet.

Dy të penduarit e drejtësisë, nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-in.

Mes emrave të shpallur në kërkim, janë Talo Çela, i cili u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet, Florenc Çapja i cili ndodhet në Dubai, Kamer Mehja, Ervis Martinaj dhe avokati Alban Bengasi, për të cilin burimet thonë se ka manipuluar provat për dy vrasje në favor të grupeve kriminale.

Ndërkohë gjatë paradites së sotme kanë vijuar kontrollet e imtësishme në Elbasan nga forcat Shqiiponja në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.  Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrjet e daljet e qytetit.

Objektivi është arrestimi i Talo Çelës, Suel Çelës dhe personave që bashkëpunojnë me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë