Lajme

Dorëhiqet Ministri i Jashtëm grek Kotzias

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja ka ardhur si rezultat i një konflikti të brendshëm, që nuk është i ri, por është akulmuar pas vizitës së fundit në SHBA të ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos, njëkohësisht kreu i partisë aleate në qeveri.

Sipas mediave greke Kotzias ka kundërshtuar faktin se kryeministri Aleksis Tsipras nuk e ka mbështetur atë në debatin me Kammenos, i cili është i ri në koalicion.

Gjithashtu mësohet, se Kammenos e ka akuzuar Kotziasin se ka marrë fonde sekrete nga miliardieri Xhorxh Soros. Kotzias ka thënë se ndihet i ofenduar nga këto akuza.

Debati i djeshëm ndodhi gjatë mbledhjes së këshillit ministror të Greqisë, pasi Kotzias deklaroi se Kamenos ‘fut hundët në politikën e jashtme’. Ndërkohë, ministri Kamenos ishte shprehur se marrëveshja e Prespës, duhej pas zgjedhjeve. Pas debateve të krijuara në sallë, reagoi edhe zëdhënësi i qeverisë greke përmes një deklaratë publike.

Ndërkohë Tsipras ka pranuar dorëheqjen e ministrit Kotzias dhe ka marrë vetë portofolin e Ministrit të Jashtëm të Greqisë.

Dorëheqja e tij do të shkaktojë problem jo vetëm në skenën e brendshme politike, por do të dëmtojë qeverinë e Zoran Zaevit, marrëdhëniet greko-turke, negociatat me Shqipërinë, çështjen qipriote, marrëdhëniet greko-amerikane.

Dorëheqja e e Kotzias do të përdoret nga opozita e VMRO-DPMNE për të ndaluar procesin e ndryshimit të Kushtetutës dhe do të bindë deputetët në Shkup se Greqia ka ndryshuar qëndrimin.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë