Politike

Dorëheqja e Pjetrit, Meta: Jo dekret të ri, zgjedhjet më 13 tetor

Presidenti Ilir Meta do të refuzojë nxjerrjen një dekreti të ri për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e ri të bashkisë së Shkodrës.
Nga Kosova ku ndodhet për një vizitë, kreu i shtetit u shpreh se nuk ka nevojë që të nxjerrë dekret të ri për zgjedhjet e Shkodrës.
"Nuk ka nevojë, zgjedhjet janë me 13 tetor për gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, këto janë të vetmet zgjedhje të ligjshme përpara. Deri në marrjen e detyrës nga kryetari i ri, detyrën e mban kryetari që është në detyrë”, u shpreh kreu i shtetit.
Sipas tij, Ademi është kryebashkiakja në fuqi dhe se nuk dohet të ketë një dekret të ri për zgjedhjet, pasi akoma nuk është konsumuar ai datës 13 tetor.

Presidenti komentoi edhe rastin e Valdrin Pjetrit, duke mos ngurruar të kërkojë edhe hetim të thelluar për certifikatën e sigurisë së i është lëshuar ish-kreut të Hipotekës.
“Problemi nuk është i personit në fjalë, sepse ai edhe pse ka bërë një shkelje të ligjit ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Policinë Italiane në rastin konkret. Problemi është kapja e institucioneve që nuk kanë bërë punën e tyre, për të verifikuar shkeljen e ligjit në rastin në fjalë. Fakti që personi ka pasur edhe detyra të mëparshme dhe certifikata të sigurisë të nivelit të lartë, për shkak të detyrave, tregon se duhet të bëhet një hetim me i thelluar për funksionimin e institucioneve të pavarura të shtetit që verifikojnë integritetin e të gjithë zyrtarëve tanë”, tha Meta.
Qëndrimi i presidentit pritet të krijojë jo pak përplasje me mazhorancën, e cila tashmë duhet të përballet edhe me refuzimin për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e pjesshme lokale. Presidenti anuloi datën 30 qershor dhe firmosi një dekret të dytë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 13 tetor. Kjo datë nuk u pranua nga mazhoranca, e cila bllokoi botimin e dekretit në Fletoren Zyrtare, si për anulimin dhe caktimit e një date të re zgjedhjesh, duke e bërë të pavlefshëm.
Ndërkaq mësohet se më 19 gusht, të hënën, pritet të realizohet konstituimi i këshillit bashkiak të Shkodrës, qytetit bastion të PD-së.
Pas këtij akti, "parlamenti" lokal i Shkodrës pritet të shpallë vakancën dhe më pas KQZ-ja t'i drejtohet presidentit për të nxjerrë një dekret për datën e re të zgjedhjeve. Sipas Kodit Zgjedhor, presidenti është i detyruar të nxjerrë brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit, një dekret të dytë për zgjedhjet në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë