Futboll

Dopio Abazaj ndaj Egnatias, Tirana shkëputet në krye me 5 pikë

Gazeta Si – Java e 29-të e Superiores është mbyllur me ndeshjen Tirana-Egnatia, që u luajt në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Kampionët në fuqi fituan 2-1, duke u shkëputur kështu 5 pikë nga Partizani i vendit të dytë.

Skuadra e Orges Shehit u gjend në disavantazh në pjesën e parë, pas golit të realizuar nga Kasa për Egnatian. Për përmbysjen e Tiranës mendoi Kristal Abazaj, i cili sot ka shënuar 2 golat e parë me fanellën bardheblu.

Tirana feston nje nga golat e Abazajt. Gazeta Si, 16 prill 2023

Sulmuesi anësor barazoi me një veprim individual që në pjesën e parë, me një goditje në pozicion diagonal me portën. Në pjesën e dytë ai shënoi edhe golin e dytë me portën bosh, pas një kundërsulmi të shpejtë të Tiranës dhe pasimit të Lushkjes. Pas golave Abazaj la fushën për shkak dëmtimi.

Tirana e mbrojti rezultatin deri në fund dhe pastaj festoi fitoren dhe shkëputjen nga rivalët e Partizanit. Me 5 pikë diferencë bardheblutë kanë komoditetin ta administrojnë më mirë pjesën e fundit të kampionatit.

Ndeshjen e ndoqi nga afër edhe trajneri i Kombëtares, Silvinjo, bashkë me ndihmësin Doriva dhe Ervin Bulkun. Braziliani i ndjek vazhdimisht ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe sot kishte zgjedhur përballjen e Tiranës me Egnatian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë