Bota

Donte të vriste trashëgimtaren e fronit në Hollandë, Spanja e liron ‘pa dashje’ nga burgu

Një bos famëkeq i kartelit të drogës që thuhet se kishte planifikuar të vriste trashëgimtaren e fronit hollandez dhe kryeministrin Mark Rutte, ka shpëtuar nga burgu për shkak të një ngatërrese gjyqësore në Spanjë.

Udhëheqësi i bandës kriminale "Mocro Maffia" Karim Bouyakhrichan, u arrestua në Marbella janarin e kaluar në një operacion të madh për pastrim parash, që zgjati pesë vjet.

Pasi mësuan për ndalimin e tij, autoritetet holandeze paraqitën një kërkesë ekstradimi në Gjykatën Kombëtare të Spanjës, duke kërkuar që kreu i bandës të kthehej në Holandë për t'u përballur me akuzat në lidhje me perandorinë e tij të trafikut të drogës.

Gjykata Kombëtare në Madrid e pranoi kërkesën, por Gjykata Provinciale në Malaga, e cila ka juridiksion mbi zonën ku u arrestua Bouyakhrichan, nuk pranoi ta ekzekutonte atë, duke argumentuar se mbreti i drogës duhej të përballej me akuzat e pastrimit të parave në Spanjë përpara se të ekstradohej diku tjetër.

Autoritetet holandeze apeluan, duke paraqitur një kërkesë të re, urgjente, duke theksuar se bosi i kartelit ishte një nga kriminelët më të kërkuar të Interpolit dhe se ai kërkohej për rolin e tij në një luftë dhjetëvjeçare pan-kontinentale të drogës, në të cilën u vranë dhjetëra njerëz në Belgjikë, Hollandë, Spanjë dhe Maro.

Rrjeti i radios Cadena SER në Spanjë, këtë të martë zbuloi se megjithëse Gjykata Kombëtare pranoi apelin holandez, ajo neglizhoi të lëshonte urdhër ndalimi që do të siguronte që Bouyakhrichan të qëndronte pas hekurave deri në kryerjen e ekstradimit.

Kur çështja e tij e pastrimit të parave doli për në seancën fillestare në Gjykatën Provinciale në Málaga muajin e kaluar, kryetari i trupit gjykues ra dakord të lironte shefin e bandës me një kusht që të linte si garanci shumën prej 50,000 eurosh. Bouyakhrichan, miliarder që posedon llogari bankare dhe prona anembanë botës, pagoi menjëherë paratë dhe e braktisi qytetin. Autoritetet nuk e kanë parë atë që atëherë.

Në vitin 2022, princeshës holandeze Amalia iu desh të linte dhomën e saj në kampusin universitar dhe të kthehej në pallatin mbretëror pasi policia nxori prova të besueshme se Bouyakhrichan po planifikonte ose ta rrëmbente ose ta vriste trashëgimtaren e fronit.

Lirimi i shefit të kartelit ka të ngjarë të kërkojë një përforcim të protokolleve të sigurisë të miratuara për të mbrojtur sigurinë e saj, si dhe atë të liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin në detyrë Mark Rutte, i cili u raportua nga gazeta hollandeze De Telegraaf se ishte pjesë e listës së Bouyakhrichan për t’u vrarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë