Futboll

Donaruma i pakënaqur në Paris, Juventusi ka një plan për portierin italian

Xhixho Donaruma fitoi Europianin me Italinë si protagonist, por pas kalimit te PSG-ja po qëndron shpesh në stol. Aventura franceze e ish-portierit të Milanit nuk po ecën ashtu siç pritej dhe Donaruma nuk është aspak i kënaqur.

Në anën tjetër është edhe Juventusi që e ka nisur shumë keq kampionatin edhe për ndonjë gabim të portierit të tij. Në këto kushte është e lehtë të bësh lidhjen për një sulm të mundshëm të bardhezinjve, për më tepër që në mes është edhe i zakonshmi Mino Raiola. “Corriere della Sera” dhe “Gazzetta dello Sport” janë munduar të zbulojnë prapaskenat e kësaj lëvizjeje.

Donaruma merr çmimin e lojtarit më të mirë te Europianit nga Ceferin. Gazeta Si, 24 shtator 2021

Edhe pse së fundi është munduar t’i alternojë pak më shumë, trajneri Poketino konsideron Navasin portierin titullar të PSG-së. Dhe natyrisht, për atë që është vlerësuar nga shumë specialistë si një nga portierët më të mirë në botë, kjo situatë nuk është e pranueshme. Dhe nga pakënaqësitë mund të lindin skenarë të bujshëm. Mino Raiola është surprizuar nga kjo që po ndodh me Donarumën dhe nëse hierarkitë nuk ndryshojnë, ai është gati ta çojë në një klub tjetër klientin e tij.

Juventusi është destinacioni numër 1 për Donarumën. Shezni pak e nga pak po e kalon momentin e komplikuar të nisjes së sezonit, por ështe qartë se bardhezinjtë po kërkojnë një portier të një niveli të lartë për të pasur qëndrueshmëri për të paktën një 10-vjeçar. Kështu ka ndodhur në të kaluarën me portierë si Dino Xof dhe Xhixhi Bufon. Në Torino po mendojnë seriozisht për Donarumën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë