Histori

Dokumentet / Pakti i fshehtë mes Sigurimit dhe UDB, një shqiptar shkëmbehej me 3 kosovarë

Marrëveshja e fshehtë e nënshkruar mes ish-Sigurimit të Shtetit dhe UDB-së jugosllave parashikonte që një shqiptar i arratisur nga Shqipëria shkëmbehej me 3 shqiptarë të Kosovës me shtetësi të Jugosllavisë.

Memorie.al ka zbardhur dëshminë e një ish-oficeri të lartë të sigurimit, i cili ndër të tjera ka rrëfyer se kosovarët që arratiseshin nga terrori dhe dhuna serbe në Kosovë për të gjetur shpëtim në Shqipëri, shpesh nuk e gjenin këtë.

Ish-oficeri me incialet N.L. thotë se kosovarët që kapeshin pasi kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri mbaheshin në zonën e Laçit në vendin e njohur si “Kulla e Gjeneral Pervizit”, apo në objektet sekrete të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, si “Qendra e filtrimit të shteasve jugosllavë”. Ajo shtëpi e madhe është e rrethuar nga të katër anët me mure të larta dhe vëndroje ku bënin shërbim 24 orësh policë të armatosur nga efektivat e Degës së Brendshme të Krujës. Kosovarët që mbaheshin aty të izoluar, konsideroheshin si agjentë të UDB-së dhe ata qëndronin në dhomat e asaj shtëpie deri sa t’u vinte rradha për t’u shkëbyer me ndonjë shtetas shqiptar që ishte arratisur në Jugosllavi

Sipas ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, shkëmbimi i të arratisurve bëhej sipas rëndësisë së tyre dhe jo në raporte të drejta numerike. Ka pasur raste kur një shqiptar i arratisur në Jugosllavi, me kërkesën e sugjerimin e Tiranës zyrtare, është shkëmbyer me dy ose tre kosovarë nga ata që mbaheshin tek Kulla e Pervizit në Laç. Ndër shqiptarët e arratisur në Jugosllavi ndër vite, të cilët më pas janë kthyer në Shqipëri duke u shkëmbyer me kosovarët me shtetësi jugosllave, kanë qenë edhe vëllezërit Adem e Ismet Allçi nga Tropoja, në vitin 1963, toger Gramoz Omari me origjinë nga Gjirokastra, vëllezërit Skënder e Shpëtim Marku nga Laçi etj.

Gramoz Omari, i afërm i Enver Hoxhës, ish-muzikant i njohur në orkestrën e hotel “Dajti”-t në Tiranë ,i cili shërbente si mjek ushtarak në një postë kufitare të Vermoshit, pasi qëndroi 4 vjet në Mal të Zi, UDB-ja e ktheu duke e shkëmbyer me 3 kosovarë. Gjyqi ushtarak në Shkodër e dënoi me vdekje Omarin dhe ai u ekzekutua natën e vitit të ri 1969. Ndërsa vëllezërit Shpëtim e Skënder Marku ishin viktimat e fundit të marrëveshjes së fshehtë të Sigurimit të Shtetit me UDB-në, të cilët pala jugosllave i ktheu menjëherë në Shqipëri në 1 qershor të vitit 1988.

Si kryhej shkëmbimi?

Në zbardhjen e dokumentave të cilësuar si “Tepër Sekret”, Memorie.al thotë se kontaktet mes Tiranë dhe Beogradit në vitin 1953 realizoheshin përmes përfaqësive diplomatike në Hungari. Dokumentat paraqesin një korrespondencë në mes Legatës shqiptare në dhe asaj të Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë lidhur me procedurat dhe rregullat që do të zbatoheshin për shkëmbimin e disa të arratisurve të dy vendeve përkatëse.

“Legatës së R.P. të Shqipërisë Budapest
Legata e R.F.P.J. në Budapest i shpreh nderimet e saja Legatës së R.P. të Shqipërisë, dhe ka nderin të njoftojë për sa vijon: Më 28 shtator 1953, në sektorin e Dibrës, dy fëmijë nga Shqipëria dhe këta Bastri Donati dhe Maliq Nexhat, kaluan në Jugosllavi. Organet kopetente jugosllave dëshirojnë që fëmijët t’ua kthejnë prindërve të tyre, porsa Legata e R.P. të Shqipërisë të njoftojë ku dhe ku organet e R.P. të Shqipërisë mund të marrin në dorzim fëmijët e përmëndur.
Legata e R.P.F.J. çfrytëzon edhe këtë rast për t’i çfaqur Legatës së R.P. të Shqipërisë nderimet e saja.
Budapest. Më 1 tetor 1953″.

Këtë informacion të Legatës jugosllave në Budapest, legata shqiptare e përcillte në Ministrinë e Jashtëme në Tiranë, e cila më pas ia paraqiste atë Ministrisë së Brendëshme që merrej me zbatimin e saj sipas procedurave që kishte marrëveshja.

Procedurat e shkëmbimit

Ministria e Brendëshme në Tiranë nëpërmjet Ministrisë së Jashtëme i propozonte palës jugosllave mënyrën dhe procedurat që duhej të ndiqeshin për kthimin në Shqipëri të dy shtetasve shqiptarë nga rrethi i Dibrës, të cilët ishin arratisur në Jugosllavi. Në letrën e Ministrisë së Brendëshme thuhet:

“Ministrisë së Punëve të Jashtëme në Tiranë.
Në lidhje me propozimin e autoriteteve jugosllave për dorzimin e dy pionerëve shqiptarë që kanë kaluar kufirin për në tokën jugosllave në datën 28 shtator 1953, asht e nevojshme të proçedohet si vijon:
Të caktohet data dhe ora e dorëzimit, dorzimi të bëhet prej orës 10 deri në orën 11 të datës 20 tetor 1953. Vëndi i dorzimit të jetë piramida Nr. 15, ku kalon rruga automobilistike Maqellarë-Dibër (rajoni i kufirit Blladë e sipërme).
Dorzimi të bëhet pikërisht në vijën e kufirit duke mos lejuar kalimin e tij nga asnjëra palë.Grupet e të dy palëve që do të bëjnë dorzimin të qëndrojnë deri 3 km. lark vijës së kufirit.
Grupet dorzuese të përbëhen nga 3 vetë plus 3-4 ushtarakë të rojes së grupeve.
Në një gjerësi dhe thellësi 200 m. të sektorit të dorzimit të mos ketë asnjë njësit shërbimi kufitar të të dy palëve, gjatë kohës që kryhet dorëzimi, përveç rojeve të dy grupeve.
Para takimit për dorzim të ngrihet flamuri i bardhë nga të dy anët, nga një distancë prej 400 m.
Për marrjen në dorzim të ngarkohen Komandanti i Repartit Nr. 293 Peshkopi, Major Gani Vajza dhe Komisari Politik Toger Pandi Pino, të shoqëruar me oficer të Drejtorisë së Punëve të Brendëshme Peshkopi”.

Sipas dokumenteve që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, ky propozim i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë, është pranuar nga pala jugosllave dhe më pas është bërë edhe kthimi në Shqipëri i dy shtetasve shqiptarë nga rrethi i Dibrës që ishin arratisur në vëndin fqinjë. Por në bazë të marrëveshjes së fshehtë të dy vëndeve, kthimi i tyre është bërë duke i shkëmbyer me tre shtetas jugosllavë që ishin arratisur nga vëndi i tyre dhe ndodheshin në Shqipëri.

Lidhur me këtë bën fjalë telegrami i ambasadorit shqiptar në Budapest, Piro Koçi, i cili njofton Ministrinë e Jashtëme në Tiranë se pala jugosllave kërkon riatdhesimin e tre shtetasve të saj.

Në atë telegram thuhet:

“Ministrisë së P të Jashtëme.
Budapest 18.X. 953. Tepër sekret
Me notën Nr.579: 53 dat 17 nandor Legata Jugosllave njofton se më 15 qershor të këtij viti tre fëmijë shtetas jugosllavë nga Dibra, të quajturit Nikolla Prokosh, lindur në 1939, Reshid Isko 1940 dhe Vetko Mitreski 1938, për arsye të paditur kaluan kufirin dhe u mbajtën në R.P.SH. Simbas letrave që kanë marrë prindërit këta ndodhen në Vlorë. Legata trasmeton kërkesën e sekretariatit të shtetit për kthimin e tyre në Jugosllavi.
Piro”

“Me notën Nr.579: 53 dat 17 nandor Legata Jugosllave njofton se më 15 qershor të këtij viti tre fëmijë shtetas jugosllavë nga Dibra, të quajturit Nikolla Prokosh, lindur në 1939, Reshid Isko 1940 dhe Vetko Mitreski 1938, për arsye të paditur kaluan kufirin dhe u mbajtën në R.P.SH. Simbas letrave që kanë marrë prindërit këta ndodhen në Vlorë. Legata trasmeton kërkesën e sekretariatit të shtetit për kthimin e tyre në Jugosllavi.
Piro”

Telegram i ambasadorit Piro Koçi për dy të arratisurit nga Himara:
“Ministrisë P. Jashtëme
Budapest 18 dhjetor
Legata e Jugosllavisë me notën Nr. 691/53 njofton se prej 19 tetor 946 ndodhet në klinikën e spitalit të Sarajevë dy të sëmurë shqiptarë të quajtur Polikron Nallano dhe Anton Nallano nga Himara. Prej kësaj date deri më 31 tetor 953 për ta janë shpenzuar 1475280 dinar. Kërkohet pagimi i tyre dhe veç kësaj nëse duan vazhdimin e mjekimit që kuston 800 dinar në ditë. Në qoftë se jo kërkohet të dinë në ç’vënd dhe kur mund të merren në dorzim nga organet tona.
Piro”

"Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë në Budapest i paraqet nderimet e saja Legatës së Republikës Federative të Jugosllavisë, dhe në përgjigje të notës 459/53 datë 1 tetor 1953, ka nderin të njoftojë si vijon: Në lidhje me kthimin e dy fëmijëve, pala shqiptare propozon që dorëzimi i dy fëmijëve të bëhet në orën 11 të datës 20 tetor në Piramidën nr.15 ku kalon rruga automobilistike Maqellarë-Dibër, rajoni i katundit Blladë e sipërme. Dorëzimi i fëmijëve të bëhet nga një oficer i shoqëruar nga dy të tjerë për secilën palë, të cilët të mos e kalojnë kufirin porse të qëndrojën tre metro lark vijës kufitare. Të dy palët do të afrohen nga me flamur të bardhë nga një distancë prej 400 metro lark nga vija e kufirit. Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë pret përgjigjen e legatës Federative Popullore të Jugosllavisë nëse është dakort me propozimin e palës Shqiptare për procedurën e dorzimit të dy fëmijëve".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë