Motosport

“Doktori” infektohet me koronavirus, humbet garat e ardhshme

Surprizë e shëmtuar për Valentino Rossi në vigjilje të fundjavës së raundit të parë në Aragon të MotoGP. Piloti i Yamahas, në fakt, ka rezultuar pozitiv me Covid-19 e duhet të heqë dorë nga gara e të dielës e me shumë mundësi edhe atë të javës së ardhshme në të njëjtin cirkuit. Ishte vetë Rossi që ka dhënë lajmin në profilet e tij sociale. “Jam i trishtuar e i nervozuar sepse bëra më të mirën për të respektuar protokollin. Shpresoj të shërohem sa më shpejt”, ka shkruar ai.

“Fatkeqësisht këtë mëngjes u zgjova e nuk ndihesha mirë. Ndihesha pa fuqi e kisha pak temperaturë, kështu që njoftova menjëherë mjekun që më bëri dy teste. Rezultati i ‘testit të shpejtë PCR’ ishte negativ, pikërisht si testi që kisha bërë të martën. Por i dyti, nga i cili mu dërgua rezultati në orën 16:00 i kësaj pasdite doli pozitiv. Jam shumë i zhgënjyer për faktin se duhet të humbas garën e Aragon. Më pëlqen të jem optimist e me besim, por pres që edhe raundi i dytë në Aragon të jetë një ‘no go’ edhe për mua… Sidoqoftë, nuk mund të bëj asgjë për të ndryshuar situatën. Tani do ndjek këshillën e mjekut, e shpresoj të shërohem sa më shpejt “.

https://twitter.com/ValeYellow46/status/1316783079755862017

Rossi është piloti i dytë i MotoGP që rezultoi pozitiv pas spanjollit Jorge Martin, i detyruar të humbasë dy gara në Moto2. Në Le Mans mungonin teknikët e Yamaha, mes të cilëve Project leader i M1, për shkak të pozitivitetit të njërit prej tyre. Valentino ndodhet në Tavullia, ku mbërriti të dielën pas garës franceze, e ka qëndruar gjithnjë në shtëpi. Nuk ka patur kontakte me pilotë të tjerë të Academy e me anëtarë të skuadrës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë