Politike

“Do të digjej Kuvendi”, Presidenca: SHISH të vërë në dispozicion raportin

Një ditë pas konferencës për shtyp të kreut të shtetit, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka hedhur poshtë reagimet se Presidenca po mban sekret raportin që paralajmëronte djegin e Parlamentit më 8 qershor. Blushi deklaroi se Presidenca i ka nisur një kërkesë Shërbimit Informativ Shtetëror që t’i verë në dispozicion edhe Kuvendit, raportin që ky Shërbim i kishte dorëzuar Presidentit më 7 qershor. Po dje, Presidenca i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.
“Me përgjegjësi maksimale, dua të rikonfirmoj vendosmërinë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të shprehur shumë qartë dje për të gjitha mediat dhe për mbarë opinionin publik, për të ushtruar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, si një president i shtetit të së drejtës. Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të shtetit të propagandës dhe PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare (duke nënkuptuar kërtu SHISH-in), që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019", tha ai. "Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozicion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019. Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme”, deklaron Blushi.
Ai bëri të ditur se ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë