Kosova

Djali i Vuçiçit në Graçanicë me mbishkrimin ‘dorëzimi nuk është opsion’ mbi bluzë

Nga Gazeta 'Si'-Danilo Vuçiç, djali i presidentit të Serbisë, gjendet në Graçanicë për Vidovdan.

Ai është përshëndetur me serbë të tjerë, dhe në bluzën e tij dallohet një mbishkrim nacionalist ku shkruhet “dorëzimi s’është opsion”.

Serbët sot, 28 qershor janë duke e festuar Vidovdanin në Graçanicë. Ditën e djeshme po në Graçanicë ata paraqitën një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë - Lista Serbe - thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiç, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t'i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.

“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti dhe regjimin e tij”, tha Jevtiç.

Dragisha Milloviç, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, foli në tubimin në Mitrovicë të Veriut, ku tha se serbët e Kosovës jetojnë në “kushte dramatikisht të vështira”.

“Fakti që policët e Kosovës janë liruar, është shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë krizë në mënyrë paqësore. Është një shenjë dhe një gjest i mirë që shkon në drejtim të shtensionimit. Është një gjest i vullnetit të mirë. Ashtu siç u liruan ata për t'u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë e duam edhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”, tha Milloviç./ Koha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë