Dosja e bujshme “Xhisiela” është rikthyer në Tiranë, këtë herë në Gjykatën e Apelit. Me kërkesë të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist, Apeli ka regjistruar kërkesën për lirimin e tij nga burgu.
Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator 2018 me akuzën e përndjekjes së ish-të dashurës së tij, Xhisiela Maloku, ndërsa pas dy javësh ai kërkon lirinë.
Gjyqtarja Shpresa Becaj do të shqyrtojë kërkesën e Rrajës për liri dorëzuar që më 8 tetor, ndërsa hetimet për këtë dosje janë ende të hapura nga prokurorja Mirela Kapo.
Arrestimi i Rexhep Rrajës
Disa ditë pas publikimit të dëshmisë së oficerit të policisë Emiljano Nuhu, më 30 shtator u arrestua djali i deputetit Rraja.
I riu Rexhep Rraja u akuzua se kishte dhunuar të dashurën e tij, Xhisiela Maloku, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.
Ndërsa, mjekësia ligjore dorëzoi më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut, duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike, të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.
Më konkretisht, e reja kishte gërvishtje në shpatullën dhe në kofshën e djathtë, disa prej të cilave të shkaktuara edhe me mjete prerëse.
Prokuroria e Krujës tha se dëmtimi me cigare i evidentuar nga mjekësia ligjore, përputhet me përshkrimin e dhënë nga 25-vjeçarja për aktet e dhunës të ushtruara ndaj saj në një hotel në Rinas nga djali i deputetit.
Kjo dosje u hap pas kallëzimit të bërë nga Xhisiela Maloku në datën 26 korrik 2018 në komisariatin e policisë nr. 3 në Tiranë, pasi vajza ka pretenduar se është dërguar me forcë në hotel dhe është dhunuar nga Rexhep Rraja, me të cilin kishte një lidhje disavjeçare. Vajza është marrë në pyetje 5 herë, duke mos dhënë të njëjtat shpjegime.
Ky rast mori vëmendje të madhe mediatike dhe politike, pasi u denoncua nga oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit.
Oficeri ka deklaruar se ishte kërcënuar në komisariatin e Policisë së Krujës për të mos hetuar djalin e deputetit, ndërsa atje kishte shkuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Nga ana tjetër, vetë Xhisiela Maloku në daljet televizive ka deklaruar se me Rexhepin ka pasur vetëm marrëdhënie xhelozie dhe se ai nuk e ka keqtrajtuar. Ajo tha se dëshmia e saj ishte e rreme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.