Pavarësisht deklaratës së Presidentit francez, Macron se është kundër zgjerimit të BE në këto momente, politikanët shqiptarë vazhdojnë të këmbëngulin në marrjen e një vote pozitive nga Parisi për hapjen e negociatave të Shqipërisë më BE në fund të muajit qershor.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndodhet për një vizitë zyrtare në Paris ku është takuar me Ministren për Çështjet e Evropës, Nathalie Loiseau. Integrimi i Shqipërisë ka qenë në qendër të takimit mes dy ministrave.
Bushati theksoi se vendimi për hapjen e negociatave do të ishte një nxitje e mëtejshme për zbatimin e reformave të ndërmarra, përfshirë reformën në fushën e drejtësisë.
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi mbështetjen e Francës në procesin e integrimit evropian, asistencën e ofruar nga pala franceze në rritjen e kapaciteteve të administratës publike, si dhe përgëzoi vendimin e qeverisë franceze për nisjen e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit në vendin tonë, si vendi i parë në rajonin e Ballkanit.
Ministrja Loiseau, u shpreh se Franca ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe rajon si dhe vlerëson progresin e bërë nga qeveria shqiptare sa i përket 5 prioriteteve kyçe, duke evidentuar nevojen e vazhdimësisë dhe thellimit të zbatimit të reformave si dhe të bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta.
Gjatë vizitës së tij në Francë, Ministri Bushati, do të zhvillojë takime edhe me Kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme në Asamblenë Parlamentare, Marielle de Sarnez, si dhe me zyrtarë të lartë pranë Presidentit Macron dhe Kryeministrit të Republikës franceze.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.