Histori

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të viktimave të Holokaustit

Kanë kaluar shtatëdhjetë e gjashtë vjet që kur ushtria ruse çliroi kampin më të tmerrshëm të përqendrimit të krijuar ndonjëherë në historinë njerëzore, kampin e shfarosjes së Aushvicit, një kamp gjerman në Poloni, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vranë miliona të burgosur, kryesisht miliona qytetarë hebrenj të dëbuar nga të gjitha anët e Europës. Dhe megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë që atëherë, pavarësisht nga mizoritë e rënda dhe të tmerrshme të kryera në luftërat e ndryshme që ndodhën në mbarë botën, çlirimi i Aushvicit është ende simboli i fitores mbi të keqen absolute dhe një paralajmërim për brezat e ardhshëm për pushtetin.

Për dhënien fund të Holokaustit nazist, në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit”.

Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike të nazistëve për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.

Në kampin Auschwitz do të vdisnin më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪‎

Në shpëtimin e hebrenjve nga tmerret e Holokaustit, një rol të madh ka edhe Shqipëria.

Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. ‪‎Nga shqiptarët u shpëtuan mbi 3 mijë e 500 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që disa qindra shqiptarë u vranë nga nazistët në kampin famëkeq të Mathauzenit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë