Lajme

Dita e parë e shkollës pa trafik, por me shkolla të mbyllura

Sabina Veizaj-Kryeqyteti nuk ka parë ndonjëherë një trafik kaq “të bukur” në ditën e parë të shkollës si sot.

Gazeta Si ka bërë një vëzhgim nëpër rrugët e kryeqytetit ku janë pozicionuar edhe shkollat 9-vjeçare e shkollat e mesme të Tiranës.

Që në orën 7 e 30 të mëngjesit kur pritej një trafik i rënduar dhe i padepërtueshëm, duke menduar gjithë eksperiencën e viteve precedente, por edhe eksperiencën rutinë të çdo dite në këtë orar, trafiku qe surprizues.

Ajo që të binte në sy ishte shtimi i policëve rrugorë që mbanin nën kontroll trafikun.

Disa prindër që shoqëronin me makinë fëmijët në shkollë u shprehën se “nuk kishin parë ndonjë herë rrugët e Tiranës në një gjendje të tillë normale për nga ngarkesa e trafikut, sidomos në një ditë si kjo”

Ne shkuam në dy akset kryesore ku mendohet se bllokohet trafiku për të kuptuar nëse ka qenë ky mekanizmi për të çliruar rrugët e kryeqytetit; rruga e Elbasanit si arterie nga ku hyjnë e dalin automjetet për në Elbasan dhe juglindje dhe tek rreth rrotullimi i Shqiponjës kur hyn dhe del fluksi i automjeteve nga Kosova, Veriu dhe Jugu i Shqipërisë.

Të dy këto akse nuk shfaqnin problematikë në trafik.

Genti Mullai, zëdhënësi i Policisë së Shtetit na shpjegoi se për ditën e parë të fillimit të Vitit të Ri shkollor janë vënë në dispozicion rreth 200  policë rrugorë kryesisht në akset problematike, gjithashtu janë atashuar policë edhe pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.

“E njëjta gjë ka ndodhur në të gjithë vendin”- thotë Mullai përmes telefonit.

Një ditë më parë policia i ka bërë apel qytetarëve që të evitojnë përdorimin e automjeteve. “Prindërit të përdorin transportin publik për të shoqëruar fëmijët e tyre në shkolla”, tha Erjon Ahmeti, shef i Qarkullimit Rrugor në Tiranë. 

Dita e parë e shkollës

Shkolla “Kosova”

480 mijë nxënës të shkollave 9-vjecare dhe të mesme kanë nisur vitin e ri shkollor 2018-2019.

Shkolla”Kosova”

32 mijë fëmijë janë ulur këtë të hënë për herë të parë në bankat e shkollës.

Kryeministri Edi Rama Përmes një statusi në ‘Facebook’ në kontekstin e ditës së parë të shkollës ka shkruar se” Pas një lufte afro pesëmbëdhjetë vjeçare, me ata që e morën padrejtësisht si pronë, me ata që e dogjën, pabesisht si godinë, me ata që përmes gjykatësish të korruptuar donin ta kthenin këndin e saj historik në pallat, kam kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor, me “Kosovën” e rilindur, shkollën simbol të historisë së Tiranës që sot u hap fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies sonë për Tiranën që duam, për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama në mesazhin e tij.

Ministria e arsimit deklaroi se programet mësimore janë më të lehtësuara, larg metodave të vjetra.

Ministrja Nikolla është shprehur se  “39 mijë maturantë në gjimnaze do të provojnë maturën e re, e cila, sipas ministrisë, është e lidhur me Universitetin dhe tregun e punës.

Këtë vit shkollor, u ndanë libra falas nga klasa e parë në të katërtën për afro 190 mijë fëmijë, ndërsa nxënësit nga klasa e 5 në klasën e 12, do të vazhdojnë të paguajnë për tekstet shkollore.

Përballë këtyre arritjeve të cituara nga Ministrja Nikolla, Koalicioni për Arsimin deklaroi se Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit në rajon dhe në Europë për financimin e arsimit. Qeveria, sipas tij, premton prej 6 vjetësh rritjen e buxhetit për arsimin deri në 5 përqind të PBB-së, por buxheti i shtetit për arsimin zë vetëm 3 përqind.

Sipas Kolacionit, kjo mungesë e investimeve për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve, e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për rezultatet dhe arritjet e nxënësve, krahasuar me vendet e OECD.

“Mungesa e investimeve publike në arsim dhe shpenzimet e pakta të Qeverisë për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës vijojnë të lënë pa arsim një pjesë jo të vogël të fëmijëve dhe adoleshentëve” tha Koalicioni për Arsimin duke vijuar se sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, afro gjysma e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm dhe rreth 70 përqind e tyre nuk kanë kushte higjene të përshtatshme për arsimimin e fëmijëve.

Sipas shifrave të Kolaicionit, thuajse 64% e fëmijëve më aftësi të kufizuar mbeten ende jashtë sistemit arsimor parauniversitar dhe vetëm 35% e shkollave në Shqipëri janë të aksesueshme nga këta fëmijë. Edhe pse ky vit shkollor e gjen arsimin publik parauniversitar me një numër të dyfishuar të mësuesve ndihmës, pjesa më e madhe e fëmijëve nuk do të përfitojnë nga kjo masë mbështetëse.

Gjithashtu për Koalicionin, arsimimi i fëmijëve romë dhe egjyptianë mbetet një problem, ndërkohë që 38.6 % e fëmijëve Rom dhe egjyptian nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm.

Një ndër problemet kryesore të arsimit për këtë Koalicion mbetet dhuna dhe bulizmi në shkollë: afro 40% e nxënësve janë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike, ndërsa 22 përqind e tyre ndjehen të kërcënuar nga mësuesit. Thuajse 20 përqind e nxënësve janë viktima të bulizmit ndërsa 50 përqind e nxënësve janë dëshmitarë të diskriminimit të nxënësve në shkollën e tyre, deklaroi Koalicioni për Arsimin.

Ndërkohë Kryetarja e Komisionit Kuvendor të Arsimit, deputetja e PD, Albana Vokshi në një deklaratë përpara Ministrisë së Arsimit ka ngritur problematikat me të cilat sipas saj përballet sektori.

“133 shkolla janë evidentuar nga PD që janë mbyllur, mijëra nxënës nuk kanë nisur vitin e ri mësimor, mijëra të tjerë detyrohen të shpërngulen në shkolla të tjera kilometra larg shkollave ekzistuese.”-thotë Vokshi duke kërkuar nga Ministria të thotë numrin e saktë të nxënësve të cilët vijojnë të ndjekin mësimin, numrin e shkollave të mbylluara dhe thekson që ministria të mos heshtë pas këtij skandali.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë