Politike

Rakip Suli zhvendos Xhelal Mziun! “Bie” fortesa e PD

Këshilli i ri bashkiak i Kamzës nisi betimin rreth mesditës së të mërkurës në ambientet e improvizuara të një shkolle, ku të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Taulant Balla dhe Ervin Bushati.

Konstituimi i Këshillit i hapi rrugë betimit të Rakip Sulit, i dalë kryebashkiak i kësaj bashkie nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në total, këshilli bashkiak i Kamzës përbëhet nga 41 anëtarë. 39 janë të Partisë Socialiste, një anëtar është i Partisë Socialdemokrate dhe një tjetër i Bindjes Demokratike.

Betimi i hap ligjërisht rrugë, të paktën sipas mazhorancës, marrjes së detyrës nga ana e Rakip Sulit. Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kryebashkiaku i ri i Kamzës foli për një kapitull të ri për këtë qytet, që sipas Sulit, në 12 vitet e drejtimit të Xhelal Mziut i janë shtuar dhe jo pakësuar hallet.

"Falenderoj në mënyrë të veçantë PS dhe Edi Ramën që më dha mundësinë që të jem kryetar i Kamzës. Jam mirënjohës për skuadrën e 30 qershorit, që u arrit që të hapet një faqe e re për Kamzën. Nga sot interesi i qytetarëve të Kamzës, mbrohet nga ne. Qytetarëve të Kamëz deri tani u janë shtuar hallet dhe jo zgjidhur”, tha ai.

Menjëherë pas konstituimit, Suli dhe këshilli i ri bashkiak u nisën në drejtim të godinës së Bashkisë së Kamzës për të marrë detyrën. Por, brenda ambienteve të kësaj bashkie ndodhej Xhelal Mziu, jo për ta pritur dhe uruar Rakip Sulin në marrjen e detyrës, por për të mos e dorëzuar atë.

Mziu tha se deri në orë 16:00 do të ishte në zyrë duke ushtruar detyrën si kryebashkiak i Kamzës, duke nënkuptuar se më pas do të largohet. Rakip Suli dhe këshilli i ri bashkiak hasi në rezistencë për të hyrë në bashki para kësaj ore. Në lojë u vu skenari i Kavajës, kur kryebashkiaku i ri socialist i dalë nga 30 qershori hyri në zyrë pas përfundimit të orarit të punës të Isa Sakjas.

Pak pas orës 16:00, mbështetës të Partisë Socialiste u vendosën në hyrjen kryesore të godinës së Bashkisë, ndërsa një grup i vogël mbështetësish të opozitës u tubuan në përpjekje për t’i ndaluar që të hapnin derën.

Të pranishme, por në distancë ishin edhe forca të shumta policie, që me përjashtim të pak rasteve u detyruan që të ndërhyjnë për të shmangur përplasjen fizike mes dy grupimeve.

Dera u hap rreth orës 17:00 dhe Rakip Suli, në praninë e mediave dhe të mbështetësve të tij hyri në zyrën e Xhelal Mziut. Në shenjë simbolike, ai tha se nuk do të ulej në karrigen luksoze të paraardhësit të tij, ndërkohë që në media u raportua një detaj, që mbetet për t’u provuar. Sipas disa artikujve, Xhelal Mziu ishte përgatitur për të lënë zyrën, pasi e kishte boshatisur atë, ndërkohë që në dalje kishte kthyer me kokë poshtë fotografinë e Presidentit Ilir Meta.

Xhelal Mziu ka paralajmëruar se nuk do të largohet nga zyra që drejton prej vitesh. Në deklaratat për mediat ai ka përjashtuar forcën si opsion, por shton se ka bërë një sërë padish në gjykatat e vendit, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese dhe do të ushtrojë detyrën deri kur këto të kenë folur.

Po këtë të mërkurë socialistët morën edhe bashkinë e Peqinit, që deri më tani mbahej nga PDIU, në koalicion me PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë