Politike

Dita e Flamurit, asnjë ceremoni festive, por vetëm solidaritet

Shqipëria ndodhet në një situatë të pazakontë. Tërmeti i fortë që shkaktoi 30 viktima ka angazhuar të gjitha strukturat e shtetit për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme. E marta tragjike e 26 nëntorit përkoi disa ditë papara festës së Pavarësisë. Për këtë ditë të Flamurit të 28 Nëntorit, por edhe të 29 Nëntorit, që përkojnë me 107-vjetorin e Pavarësisë dhe të 75-vjetorit të çlirimit të vendit ishin parashikuar të kryenin festime dhe ceremoni të posaçmë shtetërore. Por që mësohet se për shkak të kësaj tragjedie, qeveria ka pezulluar të gjitha aktivitetet të parashikuara për nder të 107-vjetorit të Pavarësisë dhe ditës së Çlirimit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama, i cili gjatë vizitave të kryer në stadiumin e Durrësit ku janë ngritur qendra emergjente të strehimit ka komentuar edhe vendimin për të mos organizuar ndonjë ceremoni të posaçme, por edhe mbi të gjitha se pse u shpall vetëm një ditë zie kombëtare për ditën e Pavarësisë. Ai thekson se nuk mund të ulet flamuri në gjysmë shtizë për Ditën e pavarësisë. “28 dhe 29 nëntori s’mund të jenë festë e as ditë zie, por do të jetë ditë solidariteti”, deklaroi Rama.
Edhe presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar anulimin e ceremonisë së parashikuar për këto festa. “Nisur nga situata e rëndë e fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë dhe që për fat të keq shkaktoi humbje jetësh të qytetarëve, plagosje dhe dëme të jashtëzakonshme materiale si dhe nga rëndësia prioritare e përqendrimit të të gjitha forcave e energjive për të përballuar pasojat katastrofike të kësaj tragjedie, Presidenti Ilir Meta ka vendosur të anulojë Pritjen Shtetërore organizuar me rastin e ditës së Flamurit dhe Festës së Pavarësisë planifikuar për në datën 28 nëntor 2019 në orën 19:00, në Pallatin e Brigadave, Tiranë”, thuhet në njoftimin e presidentit.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar anulimin e aktiviteteve për nder të ditës së Pavarësisë. Mësohet se Basha ka anuluar vizitën në Athinë, ku kishte planifikuar të festonte, bashkë me shqiptarët në Greqi, Ditën e Flamurit. Më pas, ai ishte i ftuar të merrte pjesë në Kongresin e Nea Demokracisë. Lajmin e anulimit të vizitës së Bashës e njoftoi kreu i degës së PD në Athinë, Fatmir Gjoçi. “Arsyeja është e kuptueshme. Pas situatës së vështirë që po kalon vendi ynë, për shkak të fatkeqësisë natyrore që shkaktoi humbje jetësh, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë z. Lulzim Basha, e anuloi vizitën e tij në Athinë”, shkruan kreu i degës së Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë