Futboll

Disiplina përgjysmon Tiranën, dënime deri në 24 muaj për lojtarët dhe 3 muaj pa tifozë

Gazeta Si – Komisioni i Disiplinës dhe Apelit në FSHF është mbledhur sot, një ditë pas ngjarjeve në ndeshjen Tirana-Bylis, ku u dhunuan arbitrat, dhe ka marrë një seri vendimesh për klubin kryeqytetas. Është çelur një hetim disiplinor për atë ndeshje, ndërsa Tirana duhet të luajë pa spektatorë 90 ditë, deri në marrjen e një sanksioni përfundimtar.

Janë dënuar shumica e lojtarëve të Tiranës dhe disa zyrtarë të këtij klubi. Dënimet më të rënda i kanë marrë Visar Bekaj, 1 vit, për nxitje urrejtjeje dhe akte dhune, si dhe Besir Iseni, 24 muaj, pasi ka pështyrë zyrtarët e ndeshjes. Janë dënuar 6 lojtarë të Tiranës dhe disa zyrtarë të saj.

Moment nga dhuna pas ndeshjes Tirana-Bylis. Gazeta Si, 26 maj 2023

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës
Lojtari Visar Bekaj, për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, dënohet me 12 muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe gjobë në masën 100.000 lekë.

Albano Aleksi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 6 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet. Lojtari Aldi Gjumsi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 6 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari Bruno Lulaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 6 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet. Lojtari Besir Iseni, për pështymjen ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 24 muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Lojtari Florent Hasani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet 4 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Zyrtari Arzen Vocaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Zyrtari Kostandinos Jani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet. Zyrtari Marvi Kastrati, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.

Reagimi i Tiranës: Shuplakë e rëndë për futbollin

Klubi i Tiranës ka reaguar pas vendimeve të Komisionit të Disiplinës me anë të Goldi Halilit, vajzaës së presidentit Refik Halili. Ajo ka lexuar një komunikatë të klubit kryeqytetas, që i konsideron vendimet kthim prapa dhe bën apel për reflektim. Një reagim shumë i butë në dukje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë