Futboll

Disiplina me dorë të hekurt, përjashton Shkumbinin dhe e zbret nga kategoria

Shkumbini përjashtohet nga çdo aktivitet futbollistik për sezonin 2019-2020 dhe zbret në Kategorinë e Dytë, nga ku erdhi. Ky është vendimi i Komisionit të Disiplinës pas dhunës në ndeshjen e së shtunës që shkoi Shkumbini-Dinamo. Pas mbylljes së ndeshjes në fjalë, tifozë peqinas kapërcyen kangjellat e rrethimit në stadium, u futën në fushë dhe sulmuan fizikisht gjyqtarin kryesor, Sokol Bebja. Futbollisti Andi Bakiasi i Shkumbinit, është dënuar përjetësisht nga futbolli. Pritej një dënim për Shkumbinin pas asaj ngjarjeje, por ndoshta jo pak i ashpër. Dinamo e fiton ndeshjen 0-3 në tavolinë, ndërkohë që për klubin peqinas do të ketë edhe një gjobë prej 1 milion lekësh. Është pak a shumë i njëjti dënim si me Kamzën sezonin që shkoi, por me zbritje një kategori më poshtë për peqinasit dhe jo dy.

Dënime ka pasur edhe për lojtarët e Partizanit dhe të Teutës, të cilët u përfshinë në një zënkë gjatë ndeshjes të së mërkurës. Beqja dhe Duka të Teutës, si dhe Kordeiro dhe Boldor të Partizanit, janë dënuar me nga 5 javë pezullim. Ja disa prej vendimeve kryesore të Disiplinës.

Shkumbini, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër KF Dinamo, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit si dhe kërcënimin e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 10/1/o, 31, 57/2, 63/1/b, 63/1/c, 63/1/e, 64/1, 62/2 dhe neni 65 të KDS dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonet 2019-2020 si dhe gjobë në masën 1.000.000 leke. Në bazë të nenit 116 të KDS, gjoba të aplikohet në masën 50%. Në bazë të nenit 28 të KDS, Shkumbini zbret në një kategori më të ulët, në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë. Në bazë të nenit 57/2 të KDS, Shkumbini humb ndeshjen kundër KF Dinamo, në tavolinë me rezultatin 0-3 si dhe i zbriten 3 (tre) pikë nga klasifikimi.
Lojtari i KF Shkumbini, Andi Bakiasi, për goditje të përsëritur dhe kërcënim ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 11/f), 48/1/b), 57/1 të KDS, dënohet me përjashtimin përjetë nga çdo aktivitet futbollistik i organizuar nga FSHF.
Lojtari i KF Teuta Fabjan Beqja, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Partizani, Uilliam Kordeiro, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.Lojtari i KF Teuta, Amer Duka, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari i KF Partizani Deian Boldor, për sulm ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/e) të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë