Nga Gazeta ‘Si’ – Nisja e procesit të regjistrimit të popullsisë, ndonëse ishte sqaruar prej kohësh, po shoqërohet me paqartësi nga qytetarët të cilët ende kanë disa pikëpyetje.
Censi nisi ditën e djeshme(18 shtator) ku tetë mijë anketues janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë duke trokitur derë më derë për të zhvilluar pyetësorët.
Megjithatë, në një komunikim për Gazetasi.al qytetarët deklaruan se ndiheshin konfuzë lidhur me mënyrën se si do operohet kur ata nuk ndodhen në shtëpi apo përgjigjet që duhet të japin për familjarët që kanë në emigrim dhe fëmijët që janë studentë në një qytet tjetër.
LEXO EDHE:
– Censi i popullsisë / Komunitetet fetare apel qytetarëve: Deklaroni përkatësinë fetare
– Del formulari i censit/ Nga banesa, toka, etnia e problemet shëndetësore, 100 pyetjet që do u përgjigjen shqiptarët
Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli shpjegon se në rastet kur familjari nuk gjendet në banesë, stafi është i trajnuar të vizitojë familjen deri në tre herë, në kohë të ndryshme.
Pas vizitës së parë anketuesi do të lërë një shënim në derën e familjarit ku do të informojë për vizitën e tij. E njëjta gjë do të përsëritet dhe herën e dytë ndërsa herën e tretë anketuesi do të lërë numrin e tij të telefonit dhe do i kërkojë familjarit që të vizitojë zyrat e censit të cilat janë ngritur pranë bashkive, në çdo qytet.
Referuar saj, zyrat do të jenë të hapura deri në orën 20:00 e cila përkon dhe me kohën kur anketuesit përfundojnë pyetësorët e ditës. Qytetari që nuk i përgjigjet pyetësorit ka penalitete por vetëm nëse janë bërë të gjitha përpjekjet maksimale nga ana e stafit të INSTAT.

Nëse pas tre vizitave qytetari nuk do të pranojë t’u përgjigjet pyetjeve dhe nuk do u hapet dera anketuesve parashikohen penalitete.
Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, do të shoqërohet me gjobë nga 50-100 mijë lekë.
Familjarët do të pyeten nëse kanë anëtarë jashtë
Një nga pyetjet për të cilët qytetarët kanë më shumë paqartësi është nëse do duhet të përgjigjen për familjarët e tyre që mund të ndodhen jashtë Shqipërisë.
Sipas shpjegimeve nga INSTAT, pyetësori ka një modul ku anëtarët e familjes pyeten nëse kanë anëtarë që jetojnë jashtë. Kështu, do të merret informacion kur është larguar, shteti ku është larguar dhe arsyeja pse.
Në pyetësor është edhe një modul që i referohet dhe vizitorëve që mund të ndodhen pranë familjeve në ditën e censit apo të gjithë anëtarëve të familjeve që gjatë periudhës së 2 censeve kanë lëvizur jashtë vendit. Nëse familja do të deklarojë se ka fëmijë emigrantë do të vijojë të merret informacion i mëtejshëm duke iu referuar periudhës kohore 2011 – 2023.
INSTAT thekson se në pyetësor duhet përfshirë cilido që është banor i zakonshëm në Njësinë Ekonomike Familjare (NJEF) që po numërohet. Kjo përfshin edhe shokët e dhomës, fëmijët kujdestarë dhe miqtë që zakonisht banojnë aty të cilët ndajnë një ekonominë pjesërisht ose plotësisht të përbashkët.
Madje, duhet të përfshijë gjithashtu njerëz që mund të jenë përkohësisht në spital ose jashtë vendit për një periudhë më pak se 12 muaj, por që jetojnë me ta.

Nëse keni fëmijë në universitet, nuk duhet t’i përfshini në përgjigjen e Censit
K.I, njëra nga 400 anketueset e qarkut të Durrësit thotë për Gazetasi.al se prindërit që jetojnë në rrethe përgjithësisht i kanë fëmijët në universitete jashtë qytetit të tyre.
Për rrjedhojë, thuajse të gjithë që janë hasur me këtë pyetje ditën e djeshme kanë shprehur paqartësi nëse duhet t’i përfshijnë ose jo.
Por referuar sqarimeve nga INSTAT, “shtëpia” e një studenti është vendi ku ai jeton ndërsa ndjek universitetin.
Nëse studentët nuk jetojnë në shtëpinë e prindërve të tyre shumicën e kohës, vendi i duhur për t’u numëruar është në qytetin ose vendin ku jetojnë ndërsa ndjekin universitetin.
Ndërsa nëse një qytetar jeton me qira në Tiranë por është rezident në një qytet tjetër, regjistrimi do të bëhet aty ku është rezident pasi në modul është e përfshirë dhe pyetja nëse në atë moment ai jeton me qira apo në banesën e tij.
Deri pasditen e djeshme janë plotësuar rreth njëmijë pyetësorë të cilët përfshijnë tetë module dhe 100 pyetje.
Në modulin për individ do të përfshihet një informacion i gjerë për statusin civil, arsimin, punësimin e të tjera. Po ashtu, do të ketë modul për shtëpitë, sektorin e bujqësisë dhe sektorë të tjerë.
“Etniciteti, Gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.