Ngjarje

Censi i popullsisë / Komunitetet fetare apel qytetarëve: Deklaroni përkatësinë fetare

Nga Gazeta ‘Si’-Me nisjen e regjistrimit të banesave dhe popullsisë ditën e sotme(18 shtator), komunitetet fetare në Shqipëri iu kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare.

Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje por “Etniciteti, gjuha, feja”, janë tre pyetjet e vetme të formularit që nuk janë të detyrueshme për t’u përgjigjur.

Komuniteti Mysliman Shqiptar nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale shkroi se “ndonëse përkatësia fetare në pyetësor është lënë ‘deklarim me dëshirë’  ju bëjmë thirrje dashamirëse të gjithë besimtarëve, qofshin praktikantë ose jo, të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare duke iu përgjigjur pyetjes, ‘cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket’, të shënoni: “Mysliman”. 

Në apelin e KMSH thuhet se thirrja nuk është për numra por është “për krenari e dinjitet të besimit të secilit”.

Pas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë iu ka bërë thirrje besimtarëve që t'u përgjigjen pyetjeve të Censit në lidhje me besimin fetar 

“Meqë kjo pjesë e Censit është lënë vetëm fakultative, tregoni vëmendje dhe përgjegjshmëri, duke kërkuar shënimin e identitetit tuaj fetar: “i/e krishterë Ortodoks”. Kontrolloni dhe sigurohuni që përgjigjja e pyetjes në lidhje me përkatësinë fetare, që e plotëson anketuesi, të jetë hedhur saktë në tabletin (aparatin elektronik) me të cilin regjistron, sipas asaj që ju keni deklaruar”, shkruan në Facebook Kisha Ortodokse e Shqipërisë.

Të njëjtën apel më pas bëri edhe Komuniteti Katolik në Shqipëri i cili theksoi se ndonëse opsioni për të mos u përgjigjur është një e drejtë e secilit, fton që ata të cilët janë të bindur që i përkasin këtij besimi, të përgjigjen në pyetësor.

Ky proces do të vijojë për 6 javë, ku mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë do të jenë në terren. Për ata qytetarë që nuk do t’u përgjigjen pyetjeve apo të japin përgjigje të rreme ka penalitete që nis nga 50 mijë lekë gjobë.

Censi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë