Politike

Censi / Dule: Regjistruesit s’bëjnë pyetjet mbi fenë dhe etninë. Beleri, kryebashkiak i Himarës deri në 2027-ën

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, deputeti Vangjel Dule përmes një deklarate për mediet nga Kuvendi ngriti shqetësimin për mënyrën se si po realizohet censi i popullsisë 2023.

Dule deklaroi se regjistruesit po shkelin ligjin, duke mos i pyetur qytetarët mbi përkatësinë fetare dhe etninë.

“Ka shumë raste kur regjistruesit, në kundërshtim flagrant me ligjin nuk e kryen regjistrimin në tabletat përkatëse, por mbajnë shënime me premtimin se do t’i hedhin ato në tableta në një kohë më vonë. Kjo përbën një shkelje të rëndë të procedurës. Së dyti, nuk lihet njoftimi me shkrim, ashtu siç e kërkon ligji, në ato banesa ku momentalisht nuk gjendet një qytetar. Kemi raste të denoncuara si për shembull në Tiranë, Korçë, Sarandë edhe gjetkë, ku nuk u drejtohen qytetarëve pyetjet në lidhje me përkatësinë etnike, për gjuhën amtare dhe besimin fetar. Dhe në një kohë që qytetarët kërkojnë që të deklarojnë edhe këto elemente, u thuhet se këto janë fakultative. Në një kohë që ligji e bën të qartë se, fakultative është përgjigja e qytetarit, por është e detyrueshme pyetja nga ana e regjistruesit”, nënvizoi Dule.

Kreu i PBDNj shtoi se “ka patur edhe raste, siç ndodhi në Sarandë, me një biznesmen të njohur që kur kërkoi me insistim të regjistrohet përkatësia e tij etnike greke, në mënyrë të përsëritur tre herë, në kundërshtim me çdo frymë demokratike përtej çdo kompetence të regjistruesve, u pyet nëse ishte i sigurtë sepse kishte biznes, sepse kishte prona”.

“Dhe vetëm pas një insistimi të vazhdueshëm, u regjistrua përkatësia etnike, gjuha amtare dhe besimi fetar i qytetarit në fjalë. Apo dhe rasti tjetër, kur në shtëpinë e drejtuesit më të lartë të organizatës OMONIA, Vasil Kajo, kur regjistruesi po plotësonte dokumentacionin e kryefamiljarit, të atit të tij, pjesëtarët e gjithë familjes nuk ishin në banesë dhe regjistruesi mohonte me insistim të regjistronte pjesëtarët e tjerë të familjes, duke thënë se nuk i kishte gjetur në banesë, në një kohë që ligji i jep të drejtë kryefamiljarit apo një pjesëtari të familjes të deklaroi të gjithë pjesëtarët e familjes dhe në të njëjtën kohë të deklaroi edhe vendndodhjen e tyre”, tha Dule.

Sipas tij, kjo është një shkelje flagrante e ligjit. Ai u bënë thirrje INSTAT të shohë me shqetësim situatën, që kjo procedurë të mos kthehet në një parodi. Po ashtu, Dule i apeloi Bashkimit Europian pasi ka shkelje flagrante.

“Është për të ardhur keq, që edhe zyrtarë të lartë shtetëror, apo nëpunës të lartë të administratës ngrenë shqetësime të tilla, të cilat vihen në kundërvënie të hapur me frymën evropiane dhe sfidat tona evropiane”, tha Dule.

“Do të dëshiroja duke konkluduar t’u drejtohesha të gjithë qytetarëve, në veçanti pjesëtarëve të minoriteteve etnike dhe komuniteteve fetare, të insistojnë, të deklarojnë nëse është vullneti i tyre përkatësinë etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar. Është një e drejtë e tyre. Është një instrument i pazëvendësueshëm për shtetin, për qeverinë, për çdo qeveri, për të ushtruar politika në përputhje me standardet bashkëkohore”, tha Dule.

“Së dyti, do të dëshiroja ta shtrirja këtë thirrje tek INSTAT, që të ndërhyjë urgjentisht tek regjistruesit me qëllim që të shpëtojë procesin nga shndërrimi i tij në një farsë, në një parodi. Së treti, do të dëshiroja t’i drejtohesha BE, që financon së bashku me shtetet të tjera, këtë proces të jenë duke e ndjekur në vazhdimësi atë. Të shmangin çdo aspekt negativë që vërehet me qëllim, që të mos jetë edhe ky proces censi 2023, i dështuar për sa i përket regjistrimit të minoriteteve etnike dhe komuniteteve fetare në vend”, përfundoi Dule.

I pyetur nga gazetarët për diskutimet mbi rastin e Alfred Belerit, kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, të arrestuar nën akuzën e korrupsionit zgjedhor, Kreu i PBDNj tha ai do të jetë kryetar i Bashkisë së Himarës deri në fund të mandatit, në vitin 2027.

“Konferencën e kemi ekskluzivisht për regjistrimin e popullsisë, por nuk ka asnjë afat ligjor që kufizon zotin Beleri të kryejë betimin që nga momenti që ka shprehur dëshirën, që në momentin e parë për t’iu përgjigjur ligjit dhe kushtetutës. Për rrjedhojë që nga momenti që z. Beleri, për asnjë çast nuk ka refuzuar që të bëjë betimin, nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e çon procedurën në përfundim mandati. Z. Beleri, është kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, si i tillë do ta drejtojë atë, dhe mandati i tij përfundon si i gjithë kryebashkiakëve të tjerë në vitin 2027”, përfundoi Dule.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë