Lajme

Disa fonde investimi fituan shumë gjatë karantinimit

Babai i gjashtë fëmijëve, Nicolas Bryon nuk ka fjetur shumë gjatë marsit dhe jo prej detyrave të tij si prindër. Teksa tregjet financiare binin në mënyrë të theksuar, menaxheri i fondit të investimeve me qëndër në Sydney thuajse çdo orë ngrihej për të parë e kontrrolluar pozicionet e tij të investimeve dhe për të ekzekutuar operacionet e tij.

Pas disa javëve pa gjumë të plotë, fondi i tij i investimeve, kryesisht i fokusuar në tregjet e kapitaleve, “Atlantic Pacific Australian” kapi një rritje në vlerë prej 23.6 % nga marsi në prill, duke e bërë kështu këtë fond një prej të paktëve në botë që ka mundur të bëjë para gjatë të dy muajve. Të dy këta muaj me luahtje të shumta në bursa kanë bërë lëmsh e disa prej menaxherëve më të mëdhenj e të zotë të fondeve të investimeve në botë. Në mars ishin të shumtë ata që u pozicinuan në shitje shkurt me mendimin se tregjet në rënie do të vazhdonin, por veçse të shihnin në prill llogaritë e tyre në rënie prej rritjes së tregjeve si rrjedhojë e stimujve qeveritarë.

Botërisht veçse 13% e fondeve të investimeve kanë bërë para gjatë të dy muajve, sipas të dhënave të analizuara nga Bloomberg. Një numër i madh i tyre në përgjithësi ka investuar në aktive financiarë të zonave të ndryshme gjeografike apo të industrive të ndryshme si dhe kanë shfaqur një hiper-vigjilencë në pozicionimet e tyre të investimeve.

“Unë përgjithësisht jam tepër konservativ”, thotë Bryon i cili menaxhon rreth 33 milionë dollarë australianë. Ai favorizon firmat me raporte financiarë të mirë si dhe ato që i kanë ristrukturuar kostot dhe janë rikapitalizuar përmes emetimeve të aksioneve apo kredive.

Bryon shprehet se ndjek, thuajse “non-stop” 24 orë çdo ditë në javë, për shenja se kur virusi mund të godasë e paralizojë një ekonomi të caktuar. Kjo vëmëndje e tij i ka mundësuar atij të korrë fitime të shpejta e të mëdha nga luhatjet e aksioneve të kompanive të shumta, siç ishte rasti i gjigandit të lojërave “Aristocrat Leisure Ltd.” aksionet e të cilit ranë me 36% në mars por menjëherë në prill morrën një rritje të theksuar prej 20%.

Drejtuesi i fondit të investimeve AVM Global Opportunity Ashvin Murthy ka sjellë kthime vjetore prej rreth 9.9% që prej fillimit të krijimit të fondit në 2016-n. Gjatë dy muajve të krizës së koronavirusit ai ka arritur një kthim prej 3.02% në mars dhe 3.14% në prill.

Për zotin Murthy, i cili menaxhon rreth 50 milionë dollarë të klientëve të tij nga Europa e Azia, kryerja e basteve të vegjël në bursë por në drejtimin e duhur i ka sjellë atij fitime të mëdha falë luhatjeve të shumta që ka pasur tregu. Ai aktualisht zotëron shumë tek bonot e thesarit dhe në paranë “cash”.

Në fund të shkurtit ai ka fituar shumë duke shitur shkurt askione të ndryshme si dhe duke blerë (me qëllimin për të shitur më vonë në kohë) valutë dollari amerikane. Në fund të marsit kur Rezerva Federale nisi të nxiste shtimin e likuiditetit ai kaloi në investime të arit dhe obligacioneve qeveritarë apo bonove të thesarit.

Rezerva Federale

Zoti Murthy shprehet se kurrë nuk investon më shumë se ç’është i gatshëm për të humbur. “E pranoj që është e mërzitshme kjo lloj teknike e imja krahasuar me të tjerët që marrin hua thjesht për të rritur pozicionet e tyre të investimeve, por të paktën në këtë mënyrë e bëj gjumin rehat”, shton ai.

Disa fonde të tjera që kanë performuar mirë në mars e në prill duhe të falenderojnë Kinën.

Fondi Pinpoint Multi-Strategy Master Fund  i firmës së investimeve “Pinpoint Asset Management Ltd” me rreth 1.1 miliardë dollarë në aktive të ndryshme është rritur në vlerë me 0.3% në mars dhe me 1% në prill thjesht duke mbajtur investimet e saj në disa prej kompanive më të mëdha e me emër në Kinë.

“Covid-19 ka ndikuar negativisht në disa industri”, shprehet një prej investitoreve të Pinpoint me bazë në Hong Kong, Jennifer Wong. “Por ne jemi të mendimit se liderët e industrisë që kanë akses më të mirë të burimeve, financave dhe kapitaleve njerëzore do të vazhdojnë të kenë akoma e më shumë fitim tregu si pasojë e tkurrjes së rivalëve të tyre më të vegjël”, shton ajo duke refuzuar të japë emra konkretë.

Pinpoint ka investuar, me qëllimin për të shitur më vonë, në aksione që kanë të bëjnë me rrjetin telekomunikativ 5G si dhe me firmat që japin mësime online.

Po kështu falë Kinës ka korrur fitime e fondi i investimeve aziatik Panview Capital Ltd i cili ka fituar rreth 1 % të vlerës së tij në mars dhe rreth 4.5% në prill. Firma e investimeve më bazë në Hong Kong vendosi të heqë dorë nga investimet e saj në Indi dhe të zhvendosë portofolin e saj drejt Kinës, sipas një burimi që ka dashur të mbesë anonim.

Këto janë disa prej firmave të tjera të investimeve që kanë fituar para si në mars ashtu dhe në prill.

  • Ocean Arete Ltd firmë investimesh me bazë në Honk Kong ka patur një kthim prej 2.1% në mars dhe 3.4% në prill. Fondi i saj e nisi marsin duke zotëruar aksione me risk të lartë duke përfshirë dhe indekse aksionesh por hoqi dorë nga ato sapo tregjet e kapitaleve nisën të binin. Por sapo shumë qeveri vunë në dispozicion stimujt financiarë firma rimori pozicionet e saj të blerjes së aksioneve në ShBA dhe Kinë.
  • Fondi i investimeve i firmës CloudAlpha Capital Management Ltd ka pësuar një rritje prej 1.9% në mars dhe 4.2% në prill duke i çuar kështu rritjet vjetore në thuajse 49%  sipas raportit mujor që ajo i kishte çuar klientëve të saj. E kjo ka ardhur krysisht falë një pozicioni blerjeje, me qëllim shitjeje më vonë, në aksionet e Tesla-s si dhe të shitjes shkurt të aksioneve të Luckin Coffee Inc.
  • Fondi i Infini Capital Management Ltd ka pësuar rritje prej 33% në mars dhe është ngritur me 25% në prill.
  • Fondi prej 650 milionë dollarësh i Snow Lake Asia Fund ka pësuar rritje me 1.9 % në mars dhe me 12.3% në prill. Ndërsa Fondi me fokus Kinën i po kësaj firme me vlerë prej 1.5 miliardë dollarë ka patur një kthim prej 4.4% në mars e 9.9% në prill.
  • Firma e investimeve WT Asset Management Ltd prej 1.5 miliardë dollarësh e udhëhequr nga Wang Tongshu ka pësuar një kthim prej 1.9% në mars dhe më shumë se 3 % në prill.

Burimi Bloomberg, përshtati në shqip Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë