Motosport

Dinastia Shumaker. “Ky mbiemër është një bekim, por edhe një mallkim”

“Mbiemri Shumaker? Një bekim, por edhe një mallkim”. Kështu e përkufizon David, piloti aktual i F3 me skuadrën italiane Trident. Piloti i ri që mbush 20 vjeç në tetor është djali i Ralf Shumakerit, nipi i Majkëll Shumakerit dhe kushëriri i pilotit aktual të Haas, Mik Shumaker.

Në një intervistë për “Speedweek” ai ka thënë: “Nuk e di si do të ishte po të mos kisha këtë mbiemër. Jam rritur kështu dhe jam mësuar. Mallkim apo bekim? Mendoj se janë të dyja gjërat. Për momentin, të jesh një Shumaker, nuk është aspak bezdisëse. Thuajse askush nuk më njeh dhe mund të jetoj jetën time ashtu siç dua, në paqe dhe qetësi”.

David Shumaker. Gazeta Si, 21 shtator 2021

Në F3 sot David mban mbiemrin e të atit, kurse në kohët e garave “kart” mbante atë të nënës (modeles gjermane Kora-Karoline Brinkman, bëshkëshortja e Ralfit nga 2001-shi në 2015-ën). Fama që ende nuk e ka fituar, ka prekur ndërkohë kushëririn e tij Mik, djalin e Majkëll Shumakerit. “Pas një gare të F2 në Budapest, - kujton David, - isha për darkë me të dhe papritur pamë tavolinën tonë të rrethuar nga 15 persona. Tani që është në F1 është një tip më i hapur dhe takohemi më shpesh”.

Të dy kanë një raport të mirë edhe nga koha që kanë kaluar bashkë në kohën e lirë: “Pas garës së Belgjikës kemi shkuar bashkë në një kartodrom. Bëmë një garë të dy dhe fitova unë. Jemi argëtuar shumë, edhe pse luajmë pak bashkë”.

David Shumaker me babane Ralf. Gazeta Si, 21 shtator 2021

Ëndrra e David është që të përballet me Mik në F1: “Shpresoj ta arrij këtë gjë. Ndaj një rivali të familjes, gjithmonë jepet maksimumi. Kemi bërë një sezon bashkë me të rinjtë në garat “kart”, vitin e debutimit tim. Isha më i shpejtë në një garë me shi, e kalova në xhiron e fundit dhe në kthesën tjetër më goditi nga pas. Doja shumë ta fitoja atë garë”.
Në fundjavën e 26 shtatorit, i fundit i Shumakerave duhet të përqendrohet te finalja e kampionatit të F3 në Soçi. Aktualisht është i 11-i me 55 pikë. “E di që mund ta ngre nivelin tim, por këtë duhet ta tregoj në pistë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë