Futboll

Dinamo e re nis nga Italia me Di Biaxhon dhe ish-lojtarin e Kombëtares, Ledian Memushaj!

Dinamo është kryefjala e thashethemeve më të fundit në futbollin shqiptar, nga projekti gjigand në letër për ndërtimin e një kompleksi në tokën e dhuruar nga qeveria shqiptare prej 70.000 metrave, te transferimi në Durrës nga Tirana, ku u themelua 73 vite më parë e deri te bashkëpunimi me kompaninë "Yacht Marina”-Durrës dhe binjakëzimi me akademinë e Mançester Sitit.

Janë disa binzesmenë, të cilët përfliten si bashkaksionarë në këtë projekt. Bashkë me aksionerët aktualë Ardian Bardhi dhe Kristjan Gjidodaj, projektit do t’i shtohen edhe dy aksionerë të tjerë nga qyteti i Durrësit, ndërkohë që në hije, apo pas kuintave, si konsulent i kësaj sipërmarrjeje me bashkëpunim edhe qeveritar, është ish-drejtori i Lacios, Igli Tare.

Tare rreth një javë më parë ishte së bashku me Luixhi Di Biaxhon në qytetin e Korçës për të parë ndeshjen miqësore mes Skëndërbeut dhe Dinamos. Që nga ai moment u aludua për postin e trajnerit të Di Biaxhos te skuadra kryqytetase, apo ish-kryeqytetase.

Ledian Memushaj. Gazeta Si, 30 korrik 2023

Ikën Mehmeti dhe vjen Di Biaxho dhe Memushaj?!
Me shkarkimin e Dritan Mehmetit, Di Biaxho duket se ka marrë frenat e kësaj skuadre, të cilën e pret në Itali, për një tjetër fazë përgatitore, pas asaj që bëri me Mehmetin. Nga data 1 gusht deri më 13 gusht Dinamo do të qëndrojë për një minifazë përgatitore në një provincë malore në afërsi të San Marinos.

Burime brenda klubit bëjnë me dije se Di Biaxho nuk ka mbajtur asnjë pjesëtar të stafit teknik që ishte, qoftë edhe për të qenë aty si njohës i lojtarëve, kampionatit apo specifikave të ndryshme, që mund të ketë ekipi. Po sipas këtyre burimeve bëhet me dije që në stafin teknik të Di Biaxhos do të jetë një shqiptar, bëhet fjalë për ish-lojtarin e Kombëtares, Ledian Memushaj.

Ish-mesfushori kuqezi e mbylli me futbollin e luajtur në qershorin e vitit të shkuar dhe që nga ajo kohë mori drejtimin e ekipit U-19 të Peskarës. Prej ditësh kanë filluar edhe bisedimet me të për të qenë pjesë e stafit të Di Biagios te skuadra shqiptare.

Karriera menaxheriale e Di Biaxhos
Luixhi Di Biaxho, apo Xhixhi Di Biaxho nga të gjtihë në Shqipëri njihet si ish-lojtari i Romës apo Interit, që janë dy skuadrat më të mëdha që ai ka luajtur, dhe si pjesë e kombëtares italiane mes viteve 1998-2002. Ndërkohë që si trajner, emri i tij i madh si lojtar, nuk përkon thuajse fare. Punën e tij më afatgjatë ka atë të ekipit të Italisë U-21, që e drejtoi për 5 vite apo 46 ndeshje, ndërkohë me klube thuajse nuk ka funksionuar fare.

Detyrën e fundit kishte drejtimin e skuadrës së Spalit në Itali, të cilën e drejoi nga shkurti i vitit 2020 deri në gusht të po atij viti, duke pasur një mesatare pikësh për 15 ndeshje në 0.33. Përpara këtij klubi detyrat e tij kanë qenë si ndihmës apo pjesë e stafeve teknike në skuadrat zinxhir të kombëtares italiane.

Megjithatë, emri i tij prej kohësh qarkullonte në vendin tonë si një alternativë për ekipin kombëtar A. Pati edhe një takim me presidentin e FSHF-së Armand Duka, përkrah Igli Tares, që me sa duket i ka dhënë mundësinë për të marrë skuadrën e Dinamos.

Dinamo e Superligës
Dinamo që do të marrë pjesë në këtë sezon në Kategorinë Superiore, mes gjithë kësaj zhurme e buje thashethemesh, është një skuadër modeste, e njëjta me atë që ishte në Kategorinë e Parë, mes disa përforcime nga skuadra e Bylisit dhe Kastrioti, të dyja të rëna një kategori më poshtë.

Ndër emrat e përforcimit në merkato janë Rustem Hoxha, i cili vjen pas një mungese të gjatë te Ballkani pas dëmtimit që pati në ligamente, Behiratche që u transferua nga Tirana, Albion Marku, Kaçorri, dhe portieri Sali nga Kastrioti. Një skuadër tepër modeste në emra, kur kanë mbetur edhe 20 ditë nga fillimi i kampionatit dhe me pak mundësi merkatoje, të paktën të brendshme, pasi skuadrat e tjera prej kohësh i kanë bërë lëvizjet e tyre dhe janë në përfundim edhe të fazave përgatitore për sezonin e ri 2023/2024.

Nën drejtimin e Dritan Mehmetit kjo suadër gjatë fazës së parë përgatitore, duke qenë se tani në Itali do të bëjë një tjetër fazë, zhvilloi 4 miqësore, ku fitoi 1-0 me Vorën, po 1-0 me Pogradecin e Kategorisë së Dytë, barazoi me Elbasanin e Kategorisë së Parë 2-2 dhe Skënderbeun e Superiores 1-1.

Pak gjëra përputhen në realitet me bumin e madh mediatik të këtyre ditëve që e rrethojnë Dinamon Cityn, e cila tani selinë do ta ketë në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë