Futboll

Dilema e madhe e pazbardhur/ Kush ishte më i mirë, Pele apo Maradona?

Ishte një mit, tani bëhet i përjetshëm. Në moshën 60-vjeçare ndërroi jetë Diego Armando Maradona, një nga futbollistët më të mëdhenj (për shumë më i miri) të të gjitha kohërave, pas një ataku kardiak. Javët e fundit Maradona i ishte nënshtruar një operacioni në kokë, që e përballoi me sukses. Ish-kampioni i botës me Argjentinën ndodhej në banesën e tij, kur zemra e tradhëtoi, gjithmonë sipas shtypit argjentinas. Lajmi ka tronditur gjithë sportdashësit, pasi Maradona i ka bërë të gjithë për vete me atë çka ka bërë në fushën e blertë me fanellat e Argjentinës, Barcelonës dhe Napolit.

Në mesin e njerëzve ka shumë ndarje. Këto ndarje janë prezentë kudo, në politikë, në muzikë, në sport....Por të ndalemi të sporti – të ndalemi dhe ta parashtrojmë atë pyetjet e famshme që ka ndarë në dysh mendjen e adhuruesve të futbollit qe sa e sa kohë. Kush ishte më i mirë - Pele apo Maradona? Pyetje që ka nxitur mjaft debate dhe do të vazhdojë kështu edhe për një kohë të gjatë.

Enrique Macaya Marquez është një nga njerëzit e paktë të planetit që është i kualifikuar për të krahasuar me saktësi dy talentet e mëdhenj. Ai ka ndjekur çdo Kupë të Botës që nga viti 1958 dhe është një nga gazetarët më të respektuar në Amerikën e Jugut. I njohur për paanshmërinë dhe mprehtësinë e tij, ai ka qenë fytyra e Futbol de Primera, programi i futbollit më i ndjekur në Argjentinë dhe prej njëzet vjetësh jep leksione në Universidad de Palermo në Buenos Aires.

“Duhet ta nis me dy paralajmërime. Së pari, është e pamundur të përcaktosh me saktësi absolute se cili ka qenë lojtari më i mirë në histori. Pelë dhe Maradona u përkasin dy epokave të ndryshme, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për futbollin, por edhe për veten time.

Nuk kam qenë i njëjti kur kam parë Pelenë dhe kur kam parë Maradonën. Mund të krahasosh, le të themi, Lionel Messin me Cristiano Ronaldon, dhe për ta mendon në të njëjtën kohë, ndërkohë që edhe aftësitë analizuese i ke të njëjta. Kjo nuk ndodh me Maradonën e Pelenë. Ndoshta aftësitë e mia analitike kanë qenë në rritje kur kam parë Pelenë dhe në rënie kur kam parë Maradonën, nuk i dihet.

Së dyti, rregullat e matematikës nuk aplikohen në futboll. Për shembull, Pele ishte lojtar që luante me të djathtën, i cili mund të përdorte edhe të majtën. Maradona ishte mëngjarash, por kishte vështirësi më të mëdha për të përdorur të djathtën. Por ama e majta e Maradonës ishte shumë superiore në krahasim me gjithçka tjetër.

Le të themi se një lojtar merr notën 8, nga 10 që është maksimumi, për të djathtën dhe 7 për të majtën, duke pasur shumën 15 nga maksimumi 20. Maradona meritonte 10 për të majtën por përsëri mund të mos e arrinte 15-ën, megjithatë e majta e tij meritonte shumë më tepër se dhjeta. Prandaj matematika nuk gjen zbatim këtu. Duhet të jemi të kujdesshëm e të përpiqemi të gjejmë ngjashmëritë dhe diferencat midis tyre. Dhe, kemi shumë për të marrë në konsideratë.

Në kulmin e tyre, që të dy kanë qenë të papërmbajtshëm. Kur donin të kalonin një, dy apo tre mbrojtës, apo të gjuanin, e bënin. Por Pelë e bënte kryesisht falë fuqisë së tij fizike, ndërsa Maradona falë repertorit të mashtrimeve, aftësisë për ndryshime dramatike në shpejtësi, rrotullimeve befasuese dhe me topin si karrem.

Pelë ishte lojtar më i thjeshtë se Maradona, kishte efikasitet të mrekullueshëm në lojën e tij - por ajo që e dallon vërtet nga të tjerët ishte mënyra se si transformoi futbollin brazilian. Nuk e kam fjalën për fitoret, por për mënyrën se si u arritën këto fitore.

Në turnetë e vjetër të Amerikës së Jugut, sot të njohur si Copa America, Brazili ishte përherë në disavantazh ndaj Argjentinës dhe Uruguait, sepse ato jo vetëm që luanin mirë por edhe u jepnin shqelma ku të mundeshin brazilianëve, nëse do të ishte e nevojshme. Pelë e ndryshoi këtë gjë. Nëse e gjuaje, ai ta kthente. Ishte shumë i fuqishëm. ishte shumë trim dhe kjo trimëri frymëzoi edhe bashkatdhetarët e tij. Ky ishte një ndryshim thelbësor në futbollin brazilian. Si futbollist, thjeshtësia e Pele ishte kyçi i efikasitetit të tij. Gjithçka që bënte, e bënte mirë. Ashtu si Alfredo di Stefano, ai nuk driblonte vërtet, sepse kjo do të thoshte që t’i jepte një avantazh kundërshtarit, duke i dhënë mundësinë t’ia largonte topin, t’i bënte faull apo të rifitonte pozicionin për shkak të kohës që humbje me topin. Në vend të driblimit, Pelë vraponte: kalonte topin nga njëra anë e kundërshtarit, vraponte nga ana tjetër dhe e merrte përsëri. Atletizmi i tij ia krijonte mundësinë ta bënte këtë. Sigurisht, kishte edhe disavantazhet e tij. Ndoshta është e vërtetë që Pele nuk iu desh të përballej me aq shumë mbrojtës sa Maradona, sepse taktikat mbrojtëse ndryshuan me kalimin e viteve, edhe në Amerikën e Jugut, ku futbolli ishte më poetik dhe më pak i vëmendshëm ndaj rezultateve.

Gjithashtu, ai nuk luajti kurrë në Evropë dhe ndonëse besoj se do të kishte triumfuar, përsëri kjo nuk mund të provohet kurrë. Ka luajtur në turne në shumë vende dhe gjithmonë ka hasur vështirësi kur luante në Itali. Sa herë që Santos shkonte atje, ai kishte probleme, por zakonisht i kapërcente ato. Shihni diferencat në shumat që Santos kërkonte për miqësoret, në varësi të prezencës ose jo të Pelesë. Një gjë ishte Santos pa dhe një tjetër ishte Santos me Pelenë. Ndryshe nga Pele, i cili ishte i fortë në ajër, Maradona rrallë e përdorte kokën. Por kishte një fuqi të jashtëzakonshme në këmbë, çka i jepte mundësinë të kërcente më lart se një lojtar normal. Në vend që ta gjuante topin me kokë, e ulte me gjoks dhe luante. Ai ishte edhe më kreativ. Kishte fantazi natyrore, i prirur drejt krijimtarisë. Estetikisht e kalonte Pelenë, në rast se nuk e konsideroni fizikun e brazilianit, fuqinë c tij elegante një formë bukurie. Maradona ishte i shkurtër, por kishte fuqi të pabesueshme në këmbë e në shpatulla. Prandaj ishte aq e vështirë t’ia merrje topin. Kur Maradona rrëzohej, kjo ndodhte ose sepse ishte goditur vërtet shumë fort, pse sepse ashtu kishte vendosur të vepronte. Shiheni dhe do të vini re se si c gjuajnë e përsëri vazhdon të vrapojë. Precizioni i Maradonës me topin ishte mahnitës, e kontrollonte dhe e shpërndante me lehtësi dhe kishte një vizion periferik të habitshëm, për shembull kur shikoi Valdanon që po hapej në krahë teksa Maradona kalonte mbrojtësit anglezë në shënimin e golit të dytë në Kupën e Botës 1986. Ai vështrim i lejoi t’i shpërqendronte kundërshtarët, sepse brenda çasti mund të pasonte saktësisht kudo, duke krijuar rast goli.

VLERËSIMI I EKSPERTIT

 MARADONAPELE
Gjuajtja99
Pasimi98
Driblimi88
Puna89
‘’Magjia’’1010
Atletizmi810
Goditjet e lira98
Me kokë69
Inspirues/lider97
Temperamenti1010
Totali8688
   

Maradona kishte ndoshta influencë më të madhe se Pelë në skuadër, sepse ai nuk ishte thjesht një “crack”- siç i quajmë ne në Argjentinë ata lojtarë që janë komplet jashtë të zakonshmes. Megjithatë, jo çdo “crack” është lider. Maradona ishte i tillë.

Në Itali bëri atë që askush tjetër nuk do ta kishte bërë, duke udhëhequr drejt lavdisë një skuadër pa shanse. Pele ishte përherë në shoqëri të zgjedhur në fushë, ai ishte më i miri i një skuadre yjesh. Maradona ishte më i miri, ndonëse jo gjithmonë në shoqëri të mirë. Për ta përmbledhur, Maradona ishte një “crack”, lojtar me akselerim dramatik dhe vizion, i cili i bënte lëvizjet e vështira të dukeshin të lehta, falë këmbës së majtë unike - dhe ai bënte edhe diçka tjetër, i bënte gjërat të dukeshin të bukura. Kjo ka rëndësi, sepse, megjithëse në futboll ka rëndësi rezultati, kur i merr rezultatet me lojë të bukur është edhe më e rëndësishme.

Pele ishte më i thjeshtë. Të gjeje bukurinë në lojë e tij, do ta bëje duke konstatuar kompetencën dhe thjeshtësinë, një lloj minimalizmi. Por Pele ishte më tepër atlet. Disa lojtarë u janë afruar të dyve. Johan Cruyff, një dishepull i Di Stefanos dhe interpretues i tipit të tij të lojës, ishte një prej tyre. Bobby Charlton, një strateg, ishte një tjetër. Por asnjë prej tyre, madje as Pelë dhe Maradona, nuk ishte më i mirë se Di Stefano.

Për mua, Di Stefano ishte më i madhi i të gjitha kohëve. Ai e dominonte lojën, luante kudo në fushë, nuk kishte zona, nuk kishte pozicione. Kishte aftësinë e rrallë t’i bënte më të mirë lojtarët e zakonshëm. I ardhur nga një shtresë mbi mesataren, çka është diçka e jashtëzakonshme në Amerikën e Jugut, ai përbën një përjashtim. Pothuajse nuk ka shembuj të tjerë të tillë në kontinent, sepse zakonisht lojtarët më të mirë janë ata që kanë më tepër kohë për të luajtur futboll, dhe ata që kanë më tepër kohë nuk studiojnë apo punojnë.

Gjithmonë lind pyetja: si do të luanin këtë lojtarë në lojën moderne? Të gjithë ata kishin teknikë supreme, besim, normë pune dhe fuqi. Kishin gjithçka. Por, midis tyre, Di Stefano kishte më tepër”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë