Dosje

‘Dikush na telefonoi për një porosi nga Anglia’. Detaje ekskluzive nga dosja e ish-efektivit të RENEA-s që gjykata e la në burg

Gazeta Si - Emri i oficerit të radhës të policisë, Remal Rada, u bë publik përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit, si njëri nga ish-specialët që u kap me një arsenal armësh.

Gjykata e Tiranës, vendosi masën e sigurisë "arrest në burg" këtë të enjte për Radën dhe mikun e tij Elton Hithi, me akuzën e armëmbajtjes pa leje, ku spikaste një snajper dhe mbajtja pa të drejtë të uniformave të policisë.

LEXO EDHE:
Pas snajperit, ish-policit i zbulohen armë, thika dhe jelekë të RENEA-s në shtëpinë me qira

Më herët, si ai ishte kapur po nga ky reparti RENEA një tjetër efektiv i forcave speciale, që u konstatua duke transportuar kokainë.

Të tjerë janë larguar befasisht për shkak të dyshimeve se kanë lidhje me personazhe të caktuara të krimit.

Midis tyre disa nga këto kontakte janë zbuluar përmes rrjeteve sociale të Facebook dhe Instagram, që sipas burimeve të Gazetasi.al, konfirmuan për  shefat e tyre se ata nuk duhet të ishin më pjesë e RENEA-s, ndaj dhe ju është kërkuar dorëheqja gjatë muajve të fundit

“Po të mbajmë parasysh faktin që oficerët e RENEA-s  nuk duhet t’i njohë askush, ky parim kishte rënë me kohë pas këqyrjes së rrjeteve sociale të disa prej oficerëve që u larguan nga detyra gjatë muajve të fundit”, - tregon një zyrtar i lartë i këtij reparti për Gazetasi.al.

RENEA, problemet e një reparti

Sipas tij, shkatërrimi i repartit elitar nisi fill pas rënies së Lazaratit, ku në kohën e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri u firmos dërgimi i parë i shumë të rinjve për t’u bërë pjesë e këtij reparti elitar, me mungesë të theksuar filtrash dhe standartesh që më herët zbatoheshin rigorozisht.

“Goditja e dytë dhe përfundimtare e RENEA-s, erdhi në kohën e ish-ministrit tjetër të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili orientoi një taktikë tjetër, dërgimin e ushtarakëve në këtë repart”, - shpjegon zyrtari veteran në forcat speciale.

Duke hedhur dyshime për keqpërdorimin e RENEA-s nga çdo Drejtor i Përgjithshëm Policie, zyrtari thotë për Gazetasi.al se RENEA dallohej jo vetëm për përgatitjen e lartë, por edhe besimin që oficerët kishin tek njëri-tjetri.

“Është element kyç, tanimë kjo frymë nuk ekziston më dhe është për të ardhur keq. Reparti është i keq paguar, pas Lazaratit shumë oficerë karriere u larguan nga Shqipëria duke e lënë detyrën, të tjerë u lëvizën në detyra qesharake, duke u ekspozuar ndaj duhet ta themi troç që RENEA, që tani e nxjerrin për çdo incident, është më shumë se asnjëherë e lënë në mëshirë të fatit”, - akuzon zyrtari.

Duke iu referuar rastit më të fundit të arrestimit të Remal Radës, një oficer i dalluar pranë këtij reparti, burimi i Gazetasi.al kujton.

“Të mbajmë sërish parasysh se bëhet fjalë për një oficer që kishte vite që i shërbente policisë. Ishte pa rekorde të dyshimta dhe me një kartelë të pastër. Dhe një ditë ai jep dorëheqjen që mes rreshtave nga kolegët thuhej për arsye ekonomike”, - veçon burimi i Gazetasi.al.

Sipas tij, arrestimi i 39-vjeçarit qe një befasi për kolegët që e njihnin. “Kishim dëgjuar që pasi u tërhoq nga detyra, kishte marrë me qira një parking automjetesh në afërsi të rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe që po mundohej t’ia dilte”, - thotë një tjetër ish-koleg i Remal Radës, aktualisht i arrestuar për katër akuza,  që nga mbajtja e armëve pa leje brenda një mjeti të motorizuar, mbajtje pa leje e armëve në banesë, mbajtje pa të drejtë e uniformës dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta.

Dosja

Së bashku me oficerin e dorëhequr të RENEA-s, u arrestua edhe shtetasi Elton Hithi, një i ri me precedent të mëparshëm në fushën e vjedhjeve.

Nga burimet e Gazetasi.al, mësohet detaje se si ish-oficeri u arrestua rastësisht nga një shërbim i “Shqiponjave” dhe të qarkullimit rrugor, të cilët e konstatuan pranë rreth-rrotullimit të “Sanatoriumit” në Sauk.

“Kur oficerët u afruan, vërejtën një çantë në pjesën e pasme dhe brenda saj një armë zjarri. Mjeti ishte me targa angleze dhe pas kontrollit të imtësishëm, iu gjetën edhe një armë tjetër e gjatë me dylbi, një mjet i dyshuar si silenciator dhe një material i mbështjellë me natriban, brenda të cilës, pasi e hapën forcat xheniere, u vërejtën 10 copë fishekë”, -  thotë jo zyrtarisht policia për Gazetasi.al, duke hedhur dritë mbi aksionin që disa orë më pas zbuloi edhe municione të tjera në shtëpinë e ish-oficerit.

Bëhet me dije se nga krehja e shtëpisë së 39-vjeçarit Rada, ku ishin të pranishëm prindërit e tij, u  kapën 174 copë fishekë, një pistoletë tip “Zastava”, karikator arme automatike, një dylbi termale, dy palë pranga si ato që përdor policia dhe pajisje pastrimi që përdoren për armët.

Ai nuk foli

Policia shton për Gazetasi.al, se kërkoi të marrë në pyetje ish-oficerin, i cili ka shtuar se do flasë në një moment të dytë.

Ndërkohë që ish-kolegët i sekuestruan dy aparate telefoni, që janë përcjellë me urgjencë në policinë shkencore për të kuptuar kontaktet e 39-vjeçarit.

Jo zyrtarisht, policia sqaron për Gazetasi.al, se sekuestroi 32 prova materiale, midis tyre edhe usb dhe thika.

Ndërkohë, që është marrë në pyetje edhe i riu që po udhëtonte me ish- specialin.

“Isha në Angli, më thanë...”

Elton Hithi, thotë se kur ishte në Angli njohu një person që iu  prezantua si Iliri. “U ktheva dy ditë më parë në Tiranë dhe më mori dikush, e më tha kemi një porosi për ty, shkova në ‘Msylym Shyri’ dhe takova Remalin, të cilit i thashë të shkonim se më kishin ardhur ca rroba nga Anglia. Kur zbritëm në lokal, aty më telefonoi një person, që nga dialekti më ngjau nga Vlora, nuk më pëlqeu se ishte veshur me të errëta dhe kishte një brezore...”.

Kur mori porosinë, i dyshuari këmbëngul se i tha shokut të tij ish-oficer i specialeve, “se mos na kanë futur ndonjë gjë në çantë dhe makinë?”.

I dyshuari, sipas burimeve të Gazetasi.al, këmbëngul se në bisedë e sipër, pranë rreth-rrotullimit të Saukut, i ka ndaluar policia dhe ka ushtruar kontroll.

“Ju mund të shikoni kamerat e sigurisë kur qëndruam tek lokali”, - vazhdon me alibinë e tij i riu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë