Njerez

Dikur ishte agjente e CIA-s ndërsa sot shet pizhame

Pizhamet Petite Plume të Emily Hikade janë veshur nga binjakët Clooney dhe Princi George. Por ka qenë një markë, krijuesin e të cilës nuk e njihte askush.

Nëntë vite më parë, Emily Hikade po shkonte për t’u takuar me një agjente të lidhur me një grup të njohur terrorist duke qenë se ishte oficere në CIA. Papritur avioni filloi të rrotulloj duke rënë për shkak të stuhisë dhe këtu ajo mendoi se ishte fundi.

"Gjithçka që pashë ishin fytyrat e fëmijëve të mi", thotë Hikade, një nënë 45-vjeçare e katër djemve.

“Më i vogli nuk ishte as një vjeç dhe mendova se ata do të rriten pa nënë”.

Në atë kohë, Hikade thotë se kishte kaluar më shumë se një dekadë në agjenci, duke punuar në nëntë vende të ndryshme në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë, duke zbuluar dhe rekrutuar agjentë sekretë. Por pas përvojës së avionit, ajo donte të hiqte dorë nga ajo punë.

Hikade thotë se ka mbajtur prej kohësh një listë të ideve të biznesit për jetën pas CIA-s, mes tyre një linjë pizhamesh për fëmijë, të frymëzuar nga ato të pambukut që kishte parë kur jetonte në Francë. Kështu në vitin 2015, ajo lançoi Petite Plume ndërsa punonte ende me CIA-n.

“Ishte e gjithë kjo ide për të treguar rehatinë e shtëpisë. Ideja për të veshur pizhame ishte diçka shumë romantike në kokën time”, thotë ajo.

“Sepse ti i vesh gjithmonë pizhamet kur je në shtëpi dhe kur je i sigurt”.

Gjatë shtatë viteve të fundit, Hikade e ka bërë linjën një nga të preferuarat e të famshmëve. Princi George, në atë kohë 2 vjeç, veshi një palë pizhame blu të çelët të markës për t'u takuar me Presidentin Obama në vitin 2016. George dhe Amal Clooney blenë komplete për binjakët e tyre. Për tre vitet e fundit, Kevin Hart dhe familja e tij kanë pozuar me pizhame të ngjashme me Petite Plume gjatë pushimeve.

Kompletet e pizhameve shiten online dhe në dyqane në Nju Jork dhe variojnë nga 50 dollarë deri në 148 dollarë.

Hikade e krahason kohën e saj në CIA me aftësinë e saj të biznesit duke thënë se të dyja punët kërkojnë një nivel të lartë të menaxhimit të rrezikut, pavarësisht nëse është ekzekutimi i një operacioni apo nëse është përballimi i pandemisë.

“Jo çdo gjë shkon sipas planit dhe shpesh më duhet të marr vendime të shpejta dhe të përshtatem. Për të qenë e suksesshme në të dyja punët, më duhej elasticitet”.

Hikade thotë se ajo po jetonte në Afrikën Lindore kur nisi Petite Plume, duke shkuar në zona lufte dhe duke u takuar me bashkëpunëtorët e organizatave terroriste gjatë ditës dhe duke punuar në linjën e pizhameve gjatë mbrëmjeve dhe natës pasi i kishte vënë fëmijët e saj në shtrat.

Kur ishte adoleshente, Hikade iu lut prindërve të saj që ta linin të shkonte me studime jashtë dhe jetesa në Francë ka qenë fillimi i idesë për pizhamet.

Ajo menjëherë u tërhoq drejt pizhameve të fëmijëve që i shihte në supermarkete.

Pas diplomimit në Notre Dame në 1999, ajo u nis për një qëndrim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, duke punuar si kamariere.

Ajo tregon se nuk i pëlqen koha e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.

“Çdo pyetje ishte: ‘A je demokrate apo republikane?’”, kujton ajo.

Përfundimisht, ajo u transferua në Departamentin e Shtetit, ku “të gjithë po punonim për të njëjtin ekip”. Ajo kujton herën e parë kur erdhi Sekretari i Shtetit, Colin Powell dhe tha: 'Më trego ku është ajo makineri që quhet Google". Ajo thotë se i tregoi Powell se çfarë ishin Gmail dhe Google.

Në fillim, Hikade nuk i tha askujt kur filloi të punonte për CIA-n. Disa vite më vonë, kur ajo ishte gati të dërgohej jashtë shtetit, ajo u tha prindërve të saj por u pendua që ua la barrën e sekretit të saj njerëzve të tjerë.

Në vitin 2001, ajo u takua me bashkëshortin e saj, Christopher, i cili është gjithashtu një ish-oficer i CIA-s, në një koncert ku një nga kolegët e tyre po luante në një grup.

Ata u martuan në vitin 2004.

Kur lindi fëmijën e saj të parë katër vjet më vonë, Hikade u çudit nga sa e pambrojtur u ndje papritur.

“Lëvizja pa frikë kur isha në një zonë lufte, nuk më interesonte, isha vetëm unë”, thotë ajo. "Dhe më pas, sapo kisha fëmijë, nuk mund ta bëja këtë".

“Kam takuar terroristë, njerëz të këqij. Dhe e gjitha tingëllon vërtet magjepsëse, por më pas ke fëmijë dhe e kupton se ka njerëz të vegjël që mbështeten te ty”, thotë Hikade.

Sot ajo jeton në një periferi të Çikagos me bashkëshortin dhe katër djemtë e saj.

Deri vonë, djemtë e saj nuk e dinin që nëna dhe babai i tyre kishin qenë oficerë të CIA-s. Ata ishin rritur duke u thënë se ishin diplomatë.

Tani, me Petite Plume, Hikade ka 13 punonjës me kohë të plotë në Çikago dhe Nju Jork, me të ardhura vjetore në tetë shifra, thotë ajo.

"Ajo që më bëri një oficer të mirë agjencie më bën një CEO të mirë gjithashtu”, thotë Hikade.

Ajo thotë se në disa raste, e ka parë botën e biznesit më të ashpër se puna në CIA. Ajo kujton se pas një takimi me disa investitorë, ajo i kërkoi një avokati që të lexonte kontratën që i kishin dhënë ku dhe zbuloi se kishin tentuar ta vidhnin.

“Me Al Qaeda-n të paktën e dija se sa frikë duhej të kisha. Në biznes nuk i dihet kurrë”.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë