Politike

Ligjet vulosin raportin, raundi i parë për Presidentin digjet pa emra

Komisioni i Ligjeve u mblodh formalisht për të konstatuar mungesën e një kandidature për raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit të ri.

Nga opozita u shfaqën të unifikuar sa i takon procesit.

“Para se të arrihet në një produkt të tillë ne si parlament kemi ca detyrime dhe detyrimi i parë është ai i një procesi të sinqertë. Duhet një president i gjithëpranuar. Ky proces duhet të zhvillohet në bazë konsensuale. Opozita duhet të ketë një rol substancial, pasi mazhoranca nuk ka numrat që të vazhdojë e patrazuar për zgjedhjen e njëanshme të presidentit. Ky dështim i këtij raundi të parë, ky dështim qëndron mbi supet tuaja. Një orë e më parë duhet të mbani një qëndrim. Procesi ka qenë farsë, jo i sinqertë dhe hipokrit”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Fatmir Mediu kërkoi mazhoranca dhe opozita të diskutojnë për gjetjen e një emri konsensual.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi tha se procesi nuk mund të jetë vetëm parlamentar, pasi është një proces thelbësisht politik. Edhe ai kërkoi gjithëpërfshirjen, duke nënkuptuar këtu që në bisedime të përfshihet edhe Rithemelimi dhe Sali Berisha.

Në fund, me votat e mazhorancës u miratua raporti i konstatimit të mungesës së kandidaturave. Raporti do t’i përcillet Kuvendit në seancë plenare pasditen e së hënës, që është hapi i fundit i djegies së raundit të parë dhe nisjes së procedurave për raundin e dytë.

PS ka deklaruar se pret një propozim nga ana e opozitës deri më datë 23 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë