Futboll

Dibala nxjerr Juven nga balta për 2 minuta, “ciklon” i Sitit

Gola me shumicë në ndeshjet e treta në grup në Champions League, ku u duk se do të kishte surpriza për skuadrat e mëdha, por ishte vetëm një alarm falas. Juventusi ka përmbysur rusët e Lokomotivës së Moskës me dy golat e Paulo Dibalës brenda dy minutash. Në pjesën e parë, njëri nga binjakët Mirançuk të Lokomotivës, Aleksei, ndëshkoi bardhezinjtë, duke ua bërë malore ndeshjen. Pas shumë tentativash në të gjitha mënyrat, nuk ishte as Kristiano Ronaldo dhe as Higuain, por mëngjarashi Dibala ai që çoi Juventusin nga “ferri” në “parajsë” me 2 gola. Skuadra e Sarrit kryeson grupin bashkë me Atletiko Madrid, me nga 7 pikë.

Mançester Siti vetëm sa u “zgjua” nga goli i Atalantës me penallti, sepse më pas i masakroi italianët me 5 gola. Një sukses i pritshëm për ekipin e Guardiolës, pasi Atalanta nuk ka përvojë në Champions. Berat Gjimshiti, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, ishte titullar në qendër të prapavijës, por bashkë me shokët e repartit nuk mundi t’i bënte ballë klasit të Agueros dhe Sterling, i pari autor i një dygolëshi dhe i dyti autor i një tregolëshi për “qytetarët”.

Sterling shënon për Mançester Sitin, Gjimshiti e vështron. Gazeta Si, 22 tetor 2019

Me goleada kanë fituar PSG-ja dhe Totenhemi. Francezët shënuan 5 herë në portën e Bryzhit, në fushën e këtij të fundit. Po kaq gola shënoi edhe Totenhemi ndaj Crvena Zvezdës, por në fushën e tij. Bajern Mynih triumfoi në Greqi, duke mundur 2-3 Olimpiakosin. Vendimtare fitorja e Real Madrid në Turqi, ku skuadra e trajnerit Zidan mori fitoren e parë në grup ndaj Gallatasarajit me golin e Toni Kros pas 18 minutash lojë. Një fitore me shumë vlera edhe për situatën që po kalojnë madrilenët.

Në dy ndeshjet e luajtura në orën 18:55, Atletiko Madrid ia doli të fitonte ndaj Bajer Leverkusen falë një goli të Alvaro Moratës, duke u shkaktuar gjermanëve humbjen e tretë, kurse Shakhtar Donjetsk barazoi 2-2 në fushën e tij me Dinamon e Zagrebit.

Rezultatet e ndeshjeve të sotme
Shakhtar Donjtesk-Dinamo Zagreb 2-2
Atletiko Madrid-Bajer Leverekusen 1-0
Bryzh-PSG 0-5
Gallatasaraj-Real Madrid 0-1
Juventus-Lokomotiv Moskw 2-1
Mançester Siti-Atalanta 5-1
Olimpiakos-Bajern Mynih 2-3
Totenhem-Crvena Zvezda 5-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë