Politike

Diaspora bashkon Metën dhe Ramën, kryefjalë rindërtimi

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama ishin përballë njëri-tjetrit në tryezën e Këshillit Koordinues të Diasporës që është mbledhur në Tiranë, ku kryefjalë ka qenë situata pas tërmetit.
Kreu i qeverisë garantoi të gjithë personat që kanë kontribuuar financiarisht për tërmetin e 26 nëntorit se ndihma e tyre do të shkojë në destinacion.
“Në një kohë rekord 13 mijë banorët u sistemuan nëpër hotele dhe të tjerë në shtëpi me qira.
Sot që flasim vijon inspektimi i inxhiniereve për të ndihmuar dhe uroj që brenda muajit janar të kemi faturën post-emergjencë, një faturë financiare paraprake.
Fill pas saj do të filloj pjesa e rindërtimit. Ne duam të dalim më të fortë nga kjo situatë dhe falë procesit të rindërtimit të krijojmë një cilësi të re në marrëdhëniet e njerëzve, por edhe marrëdhëniet e njerëzve me vetë vendin. Qysh në sekondën e parë ne patëm komfortin e mbështetjes së Diasporës, që për hir të së vërtetës në 30 vite e Shqipërisë ka qenë investitori më i madh në Shqipëri. Askush nuk ka investuar më shumë se Diaspora Shqiptare”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.
Ai tha se procesi i rindërtimit do jetë tërësisht transparent dhe nuk do lejohet asnjë abuzim.
“Ne jemi besimplotë që fondet, përtej vlerës së tyre të konsiderueshme financiare, kanë një vlerë të konsiderueshme morale dhe sociale. Do të shkojnë aty ku janë destinuar sipas një transparence të plotë. Mekanizmi i transparencës do të jetë i besueshëm dhe i aksesueshëm nga të gjithë”, u shpreh ndër të tjera ai.
Rama ndër të tjera tha se “vitin që vjen fillon edhe shkolla fillore e diasporës”.
Mbledhja u zhvillua në sallën me emrin “Jeronim de Rada”, që kryeministri e cilësoi si mishërim të diasporës shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, edhe presidenti Meta e ka vënë theksin te fatkeqësia natyrore që goditi vendin tonë dhe solidaritetin e madh që tregoi Diaspora Shqiptare.
“Shqiptarët janë gjendur gjithmonë pranë njëri-tjetrit në momente të vështira. Edhe pse larg atdheut ata kanë qenë gjithmonë me mendje dhe me zemër pranë të afërme, familjeve dhe bashkatdhetarëve të tyre në tokën mëmë.
Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditi vendin tonë më 26 nëntor.
Shoqata dhe individë të shumtë të diasporës sonë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Amerika, Kanadaja e deri në Australi, kanë mbledhur ndihma dhe të ardhura në mbështetje të njerëzve të prekur nga tërmeti, duke treguar kështu një solidaritet të rrallë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të tyre”, tha ndër të tjera presidenti Meta.
Ndër të tjetra, ai ka përgëzuar Ministrinë e Shtetit për Diasporën për ngritjen e një strukture të tillë, të përcaktuar me ligj.
“Ky Këshill ka një rëndësi të veçantë pasi dëshmon përfshirjen e përfaqësuesve të diasporës në struktura ekzekutive që merren drejtpërdrejt me identifikimin real të problematikave, me propozimet dhe zgjidhjen e tyre, si edhe në hartimin e strategjive mbi marrëdhënien me diasporën.
Uroj që ky takim i parë i Këshillit Koordinues të Diasporës të vijojë me një sërë arritjesh në zgjidhjen e këtyre problematikave që ndesh diaspora jonë, por edhe mbi masat konkrete të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me diasporën në lidhje me situatën e rëndë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit!”, u shpreh Meta.

Duke qenë se mbledhja zhvillohet në Ditën Kombëtare të Diasporës, Meta ka përshëndetur të gjithë emigrantët tanë dhe të gjitha komunitetet dhe diasporën kudo që ndodhen.
“Diaspora jonë e hershme, komuniteti arbëresh ruajti për pesë shekuj gjuhën shqipe dhe figurën e Skënderbeut, dhe ishin nismëtarë të Rilindjes Kombëtare, e cila çoi na çoi edhe drejt Pavarësisë.
Një kontribut të madh dhe të vyer në të mirë të vendit tonë jep edhe diaspora e re e pas viteve 90-të.
Në 30-të vitet e fundit ne jemi një komb që ende emigrojmë. Ky është një fenomen global që ka pasojat e veta pozitive, por edhe mjaft negative dhe një sfidë e vështirë për vende modeste si ky i yni.
Ne vazhdojmë të krenohemi me arritjet që kanë shënuar emigrantët shqiptarë në mbarë botën, në të gjitha fushat.
Tashmë Diaspora shqiptare ka hyrë në një etapë të re. Shumë përfaqësues të saj janë pjesë e rëndësishme në institucionet shtetërore qendrore dhe vendore në shtetet ku ata jetojnë”, u shpreh presidenti Meta.
Në mbledhjen e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës, ishin të pranishëm gjithashtu ministri i Shtetit për Diasporën Majko, ministrat e kabinetit qeveritar Çuçi, Margariti, Klosi, anëtarë të Këshillit, deputetë, drejtuesi i mbledhjes dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë