Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, Bushati: Të mbyllet me njohje reciproke

Në një kohë që debati për korrigjimin e kufijve është në kulmin e tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka pritur sot një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Debati për kufijtë që po zhvillohet në Kosovë, është nxitur kryesisht nga Presidenti Thaçi, i cili është për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. 

Në qendër të diskutimit të sotëm ishte situata e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.

“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negocimit me Bashkimin Europian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh ministri Bushati.

Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në Rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin te rëndësia e vijimësisë së Dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. Bushati nuk ka përmendur aspak dhe as mbështetur tezën e Thaçit për të ndryshuar kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i Dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë