Politike

Dhurata e Ilir Metës për Monika Kryemadhin

“Nuk është një njeri që bën dhurata. Në 23 vite kam marrë vetëm një buqetë me lule”. Me këto fjalë Monika Kryemadhi rrëfente në fund të marsit të 2017-ës raportin e saj me Ilir Metën, një muaj para se ky i fundit të zgjidhej President i Republikës.

Kryemadhi e përshkruante bashkëshortin e saj si një njeri “të ftohtë” e deri diku “maskilist nga ata që sheh shtrembër nëse nuk i shtron bukën”.

Por, që prej kohës që Ilir Meta hyri në zyrën e Presidencës dhe i la çelësat e Lëvizjes Socialiste për Integrim bashkëshortes së tij, të paktën publikisht marrëdhënia e tyre bashkëshortore ndryshoi status nga “të martuar” në “të martuar edhe më ndërlikuar”. Rrugët e tyre u ndanë. Meta veshi kostumin e Presidentit, ndërsa Kryemadhi refuzoi të vishte fustanin e “Zonjës së Parë”.

Raporti i ndërlikuar kërkonte gjetjen e një ekuilibri mes Ilir Metës President dhe Ilir Metës bashkëshort i kryetares së partisë së dytë më të madhe opozitare. Meta la pas sloganin “Forcë e parë, forcë e paparë” me të cilën udhëhoqi fushatën e LSI-së në 2017 dhe si President kërkoi ekuilibrin si palë mbi palët.

Përplasja e parë nuk vonoi. Në tetor të 2017, Kryemadhi fajësonte Ilir Metën që heshti përgjatë 2016, kur vendi u kanabizua, sipas saj nga Saimir Tahiri me dijeni të Edi Ramës. Më pas në 2018, kryetarja e LSI-së deklaronte se “mëkati më i madh i burrit të saj ishte se pinte më shumë se dy gota verë të kuqe”, ndërsa në fillim të 2019, pak para se opozita të digjte mandatet e qortonte se përse nuk dekretoi Gent Cakajn si ministër të Jashtëm.

“Po të kisha qenë në pozicionin e Ilir Metës, unë do ta kisha firmosur Gent Cakaj për Ministër të Jashtëm dhe më pas ne do të shikonim se që nga kryeministri dhe gjithë qeveria e tij do të tërhiqeshin zvarrë jo vetëm nga opinioni publik por dhe shumë faktorë të tjerë qofshin ndërkombëtarë apo dhe vetë populli i Kosovës. Mesa duket Presidentit iu dhimbs Kryeministri prandaj dhe bëri një veprim të tillë për të ruajtur sadopak institucionin dhe fytyrën e shtetit shqiptar”, tha ajo.

Djegia e mandateve nga ana e opozitës e ndërlikoi edhe më tej publikisht marrëdhënien e tyre politike. Meta deklaroi më vonë se nuk ishte vënë në dijeni të këtij hapi ekstrem të opozitës, ndërsa Kryemadhi argumentonte se përse nuk i kishte thënë gjë Metës për këtë vendim. Ajo fliste me bindje pasi Meta nuk do ta miratonte këtë vendim, pasi është tipi i politikanit që kërkon stabilitet. Kryemadhi rrëfente gjithsesi se raporti bashkëshortor nuk ndikohej nga ndasitë për vendime të caktuara politike.

Në të gjitha rastet, çifti i politikanëve ka shijuar pushimet së bashku, duke nisur që nga Gjiri i Lalëzit, e deri në aventurat malore të Ilir Metës, si ajo në Prevallë të Kosovës, ku ka qenë i shoqëruar me Monika Kryemadhin dhe me një foto nga këto pushime uron “Shën Valentinin”. A është kjo një foto me mesazh të nënkuptuar politik? Edhe mundet! Zoti Meta i ka shumë qejf qëkur u bë President. A është kjo një foto dhuratë për LSI, apo thjesht një foto dhuratë për Shën Valentin, që Presidenti ia dedikon lidhjes së tij me bashkëshorten? Të gjitha mund të kuptohen, por ajo që mbetet është ajo që thotë Monika “ “Nuk është një njeri që bën dhurata".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë