Futboll

Dhunuan kundërshtarin dhe zyrtarët, Disiplina dënon përjetësisht dy lojtarë

Komisioni i Disiplinës në FSHF ka shpallur vendimet për gjithçka ka ndodhur javën që shkoi në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar, që nga Superiorja deri te moshat. Ka gjoba për disa klube, paralajmërime, pikë në tavolinë, por në morinë e dënimeve bie në sy përjashtimi përjetësisht nga futbolli i dy futbollistëve të Këlcyrës, Saimir Kule dhe Aristidh Çoli. Të dy këta futbollistë ishin protagonistë negativë në ndeshjen Këlcyra-Maliqi. Të dy u ndëshkuan me karton të kuq, pasi goditën kundërshtarin, por edhe zyrtarët e ndeshjes.

Çoli madje bëri një veprim absurd, duke goditur pa top lojtarin e Maliqit, Arlind Xaka, i cili ra në fushë pa ndjenja dhe më pas përfundoi në spital. Këlcyra është bërë problem me veprimet e dhunshme gjatë ndeshjeve edhe më parë. Veçohet rasti i derbit me Përmetin në vitin 2017, ku pati dhunë masive ndaj arbitrit dhe Këlcyra u përjashtua nga aktiviteti, por më pas u rikthye. Edhe në atë kohë pati futbollistë të dënuar përjetësisht.

Vendimet për dy futbollistët e Këlcyrës
Lojtari i KF Këlcyra Saimir Kule për sjellje te gabuar ndaj zyrtarit te ndeshjes dhe kundërshtarit në bazë të Nenit 48/1/b, 47/1/f dhe Nenit 31/1 të KDS, dënohet me përjashtimin përjetë nga çdo aktivitet futbollistik.
Lojtari i KF Këlcyra Aristidh Çoli, për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/f të KDS, dënohet me përjashtim përjetë nga aktiviteti futbollistik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë