Arsim

Dhunimi i 3-vjeçares nga edukatorja/ Monitorohen kopshtet private, 8 pa licencë

Nga Gazeta Si - Pas ngjarjes së ndodhur në kopshtin privat “Stinët” ku një 3-vjeçare u dhunua nga edukatorja e saj, duke i shkaktuar edhe thyerjen e këmbës, Ministria e Arsimit ka ngritur një task-forcë për kontrolle dhe inspektime nëpër kopshtet jopublike.

Në një deklaratë për median, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se deri tani janë inspektuar 90 kopshte jopublike në ku 67 prej tyre i përmbushin kriteret për të vijuar punën, ndërkohë që 8 kopshte kanë rezultuar të palicensuar.

“8 subjekte jopublike rezultojnë të mos kenë aplikuar për licencë, dy iu është refuzuar licencimi ndërkohë që 13 subjekte jopublike ushtrojnë veprimtari në statusin ditor.  Pra nuk rezultojnë të jenë me licencë për kopsht”, tha Manastirliu, duke shtuar se këto kopshte duhet të marrin masat dhe të pajisen me dokumentin e licensës. Në rast të mospajisjes, do të vijohet me gjobë nga 500 deri në 1 milion lekë dhe ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit.

Manastirliu, tha se do ngrihet një reformë në arsimin parashkollor ku do preket çdo aspekt, duke nisur nga stafi dhe kualifikimi e deri tek standardet e ambienteve.

Reforma në arsimin parashkollor do të përfshijë të gjitha bashkitë dhe institucionet e arsimit ku do të monitorohen të gjitha standardet e kopshteve.

Gjithashtu, Manastirliu shtoi se po rishikohet nëse duhet një ligj i posaçëm për arsimin parashkollor ku të vendosen përgjegjësi të reja në çerdhe dhe kopshte.

“Duhet një kornizë e re e vlerësimit të cilësisë me standarde të reja për punësimin e edukatoreve. Do ketë dhe rishikim të kurrikulës. Gjithashtu është e nevojshme që edhe edukatoret në kopshtet jopublike të jenë pjesë e sistemit arsimor, për t’u dhënë një mundësi për trajnime dhe kualifikime”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë