Gazeta Si - Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili të mërkurën u dhunua nga tre persona, vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Ai ndodhet në monitorim intensiv në reanimacion nga stafi mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë. Siç shihet edhe në videot e publikuara nga Gazetasi.al, 34-vjeçari është dhunuar barbarisht duke u goditur me sende të forta e duke pësuar dëmtime të rënda në kokë.
Sokol Mëngjesi, i cili është edhe avokat i ish-kryeministrit Sali Berisha, u godit për shkak të detyrës. Ai ka përfaqësuar në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë.
Procesi është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij, por disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore.
Policia e Tiranës bëri të ditur se autorët e dhunës ndaj avokatit janë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia.
Ndërsa një person i katërt i quajtur Romario Tabaku ka ndihmuar autorët e dyshuar për t’i larguar nga vendngjarja me makinën “Audi”.
Si organizator, Policia e Tiranës dyshon të jetë Dritan Nano, 58 vjeç të cilin e ka shoqëruar me iniciativë.
I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Takimi i para një muaji ka qenë i fundit para dhunës, sqarues, por nuk kanë rënë dakord, pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore.
Çështja për të cilën bëhet fjalë është një truall toke ku rezultojnë pronarë 8 anëtarët, ku momentalisht mbi këtë truall është ndërtuar.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, 3 persona kanë kryer sulmin, një i ka pritur me makinë, ndërsa një i pestë është ndaluar si organizator i sulmit.
Vijojnë të jenë në kërkim Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku. Ka qenë pikërisht ky i fundit ai që ka larguar tre autorët nga vendi i ngjarjes me një makinë tip “Audi”. Një nga autorët e dyshuar, Dorian Alia, është vetëdorëzuar dje në polici.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ofruar 20 mijë euro për këdo që jep informacion që çon në arrestimin e autorëve të cilët vijojnë të jenë në kërkim.
Ndaj autorëve të ngjarjes është ngritur akuza e vrasjes së funksionarëve publikë të mbetur në tentativë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.