Njerez

Dhuna ndaj gruas, sociologu Tushi: Fenomeni ka prekur gjithë shtresat e shoqërisë, mjaft me marshime, duhet ndërhyrje konkrete

Nga Gazeta Si - Në zonën e "Don Boskos", një grua e re në moshë, dikur konkurrente e emisionit "Hell's Kitchen" në një televizion kombëtar, jeton bashkë me vajzën e vogël, pas largimit nga shtëpia.

E martuar prej më shumë se 15 vitesh, nënë e 2 djemve adoleshentë dhe e një vajze të mitur, tregon pa pranuar të publikojë identitetin e saj, se sapo është ndarë ligjërisht nga bashkëshorti, i cili ka fituar kujdestarinë e djemve.

"3 vite më parë nisën përplasjet mes nesh. Ai filloi të mos kishte respekt dhe më fyente para fëmijëve. Madje dhe më ka qëlluar. Pas lindjes së vajzës, nuk më la të shkoja më në punë. Ish-bashkëshorti im ka një pozicion në administratë dhe justifikimi ishte që duhet të merresha me punët e shtëpisë e të kujdesesha për fëmijët".

Eda (emër i ndryshuar), një grua e fortë në dukje, po has vështirësitë e para pas vendimit të divorcit.

Ndonëse ish-bashkëshorti ka për detyrë të respektojë vendimin për takimin e nënës me djemtë, në disa raste kjo nuk ka ndodhur.

“Pas divorcit nuk kemi komunikim. Ma ka mbyllur prerë se nëse dua ti takoj djemtë, duhet të shkoj në shtëpi. Por unë atje nuk shkoj më. Djemtë më kanë treguar se i jati u ka folur keq për mua dhe ua ka ndaluar të më shohin".

Gruaja e divorcuar thotë se ka vendosur të emigrojë në Gjermani dhe do t'i tërheqë atje fëmijët sapo të sistemohet.

Historia e Edës është një nga historitë e shumta që dëgjon sot rëndom në shoqërinë tonë.

Nëse deri dje kishim mësuar se "Varfëria gjeneron dhunë", sot duket se nuk është më një shprehje që i shkon për shtat shoqërisë shqiptare.

Sociologu Gëzim Tushi, në një prononcim për Gazetasi.al në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas thotë se fenomeni i dhunës sot është përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Sociologu Gëzim Tushi. Gazeta Si, 25 nëntor 2022.

"Nuk duhet më të fajësojmë vetëm varfërinë si shkak për dhunë. Edhe në shtresat e mesme e të larta ka raste të tilla. Sepse shoqëria sot sa vjen e po humb vlerat. Egoizmi, sjelljet e lira seksuale, krijimi i raporteve jashtë familjes, por dhe ndryshimi i sjelljes së grave me pozita në shoqëri, duke i larguar ato nga detyrat në familje, janë shkaku i gjenerimit të dhunës fizike e verbale", thotë sociologu Tushi.

Por çfarë duhet të ndryshojë?

Tushi tregohet i ashpër ndaj shoqatave që merren me parandalimin e dhunës ndaj gruas.

"Ka ardhur koha ti jepet fund marshimeve nga qendra e Tiranës deri në bulevard. Nuk ka më nevojë për shpenzime të kota fondesh për broshura. Aktivistet e shoqërisë civile duhet të lënë qytetin e të zbresin ne fshat, në zonat rurale ku dhuna është tashmë një stil jete, ku askush nuk e ndryshon e denoncon", thotë sociologu Gëzim Tushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë