Futboll

Dhuna ndaj arbitrave, një histori normale në futbollin shqiptar

Fatjon Rupi - Pamjet e dhunës ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti, pas ndeshjes Kamza-Laçi, ku ai "mëkatoi" duke dhënë një penallti në minutën e 5-të shtesë, u bënë lajmi i ditës të dielën. Reagime të fuqishme nga FSHF-ja, shoqata e arbitrave të futbollit shqiptar, opinioni publik sportiv, personalitete të ndryshme të futbollit etj. Të gjithë dënojnë ashpër dhunën ndaj arbitrave dhe ky është veprimi më normal në botë, por çfarë bëjnë për ta parandaluar këtë dhunë, që në këtë periudhë të kampionatit është familjare në futbollin shqiptar? E veçanta e dhunës në futbollin shqiptar është se atë e ushtrojnë drejtuesit e klubeve, direkt apo indirekt. Kjo është një histori normale e futbollit tonë, për fat të keq.
Ajo që u pa në stadiumin e Kamzës ditën e diel nuk ndodh për herë të parë në futbollin tonë. Ka ndodhur në Laç disa sezone më parë, kur u dhunua ish-ndërkombëtari Lorenc Jemini, ka ndodhur në Burrel ndaj zyrtarisht të FSHF-së Sulejman Mema, ka ndodhur në Ballsh ndaj zyrtarit të FSHF-së Besnik Çela. Në të gjithë rastet dhuna ka ardhur nga drejtues të klubeve të këtyre qyteteve. Ka ndodhur edhe plot herë të tjera, ndoshta në jo në përmasa kaq të frikshme, por fenomeni është i njëjtë. Është një histori normale e futbollit shqiptar në këtë periudhë, kur më shumë luhet poshtë tavolinave se në fushën e blertë, siç ka thënë Igli Tare dhe shumë figura të tjera të njohura.
Pse ndodh ky fenomen edhe tani, në vitin 2019? Edhe në futboll, si në çdo fushë të jetës në Shqipëri, humbja është diçka e papranueshme, jashtë logjikës së dikujt, që e do patjetër fitoren, e do edhe me dhunë, me çdo kosto, duke harruar se është vetëm një garë, me fitues dhe humbës. Ka vite që dhuna është bashkudhëtare e futbollit shqiptar dhe kështu do të vazhdojë të jetë, përderisa nuk ka masa drastike nga FSHF-ja dhe organet e saj. Dhunë ka pasur, ka dhe do të ketë në futbollin shqiptar, përderisa sistemi aktual e pranon atë. Ia ka hapur derën prej kohësh për interesa të caktuar dhe duhet ta mbajë. Dhuna është bërë pjesë e futbollit tonë dhe për ta çrrënjosur duhet një politikë shumë e ashpër kundër saj.
Numri 2 i FSHF-së, Ilir Shulku, bashkë me shefin e shoqatës së arbitrave, Tahir Kastrati, pas rastit "Hamiti" dolën në konferencë shtypi dhe kërcënuan me bojkot, nëse policia dhe shteti nuk marrin masa. Po sigurisht që edhe ata vetë e dinë se nuk është kjo zgjidhja. Sepse dhunë ka pasur sistematikisht edhe kur për sigurinë në stadiume ka qenë Policia e Shtetit përgjegjëse. Nuk është se dhuna u shfaq këtë sezon, kur ndryshoi ligji dhe duhet të jenë klubet që duhet të garantojnë sigurinë e ndeshjeve me polici private.
FSHF-ja, së pari duhet të veprojë me dorë të hekurt ndaj këtij fenomeni ndaj çdo drejtuesi ekipi që ushtron dhunë, kushdo qoftë ai. Duhen vendime shembullore për të minimizuar dhunën dhe më pas zhdukur atë. Konferencat e shtypit të zyrtareve të FSHF-së pas ngjarjeve të turpshme, siç ishte rasti i fundit në Kamzë, nuk zgjidhin asgjë, janë thjesht sa për të larë gojën. Fenomeni duhet luftuar në rrënjë, plaga duhet pastruar dhe më pas kuruar. Në të kundërt, pamje si ato të dhunimit të ndërkombëtarit Eldorjan Hamiti do të shohim sërish, madje shpesh në këtë fazë të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë