Prej dy ditësh mediat janë "pushtuar" nga një video skandaloze, kur një nënë dhunonte vajzën e saj 13-vjeçare, ndërkohë që ajo bërtiste “do të vras veten”, e përgjigja e nënës ishte “aty të vdesësh”. Raste të dhunimit dhe përdhunimit të fëmijëve, po hasim gjithnjë e më shpesh - thonë specialistët - por jo të gjitha e kanë fatin e mirë të publikohen, në mënyrë që fëmijët, kryesisht vajza, të mos përfundojnë duke shkatërruar jetën e tyre.
Nuk ka kaluar më shumë se një vit, prej kohës kur një 18-vjeçare akuzoi babain e saj, pasi ai kishte 3 vite që abuzonte seksualisht me të, rregullisht. Fataliteti i kësaj ngjarjeje ishte se nëna e vajzës nuk bënte asnjë reagim kur mori vesh për këtë ngjarje. Gjithashtu viti i shkuar, por edhe ky fillimviti, ka pasur një sërë ngjarjesh, të cilat tregojnë se dhuna psikologjike, fizike dhe seksuale ndaj fëmijëve duket se nuk ka të ndalur.
Irena Shtraza, përfaqësuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN, shprehet për Gazetën “Si” se këto ngjarje janë një sfidë që duhet ta adresojmë si shoqëri e tërë, është një emergjencë psiko-sociale kombëtare.
“Fëmijët janë mbi gjithçka dhe kanë nevojë të mbrohen me dorë të hekurt nga kushdo që e cënon sigurinë dhe mirëqenien e tyre psikologjike e fizike! Ne si shoqëri keni nevojë ta kuptojmë këtë sa s’është vërtet vonë, pasi mënyra se si trajtohen fëmijët në kulturën tonë lë shumë për të dëshiruar, akoma më keq, është shkelje e të drejtave themelore të tyre!,” shprehet ajo.
Për sa i përket dhunimit të vajzës 13-vjeçare, por jo vetëm në këtë rast, psikologia Ariana Muçaj tregon se filmimi i skenës dhe bërja publike e lajmit është një gjë e mirë por, të parët që duhen njoftuar janë organet kompetente. Sipas saj, duhet bërë menjëherë vlerësimi psikologjik i shëndetit mendor të nënës dhe të rishikohet kujdestaria e fëmijëve.
“Dhuna tek fëmijët i ushqen me ndjenjën e frikës të ankthit dhe rrit sjelljen agresive ne fazat e mëvonshme të zhvillimit duke lëne gjurmë në formimin e personalitetit të fëmijës. Më së fundmi po shohim si në rastin konkret që në një mënyrë ose tjetër fenomeni i dhunës është pjesë sensibilizuese dhe nuk duhet pranuar, por reaguar ndaj saj dhe reagimi i bashkëjetuesit e tregon fare mirë,” shprehet psikologja.
Çfarë tregojnë këto fenomene për shoqërinë tonë?
Sociologu Ergys Mërtiri shpjegon se shoqëria shqiptare është tepër e dhunshme, për shkak të së kaluarës totalitare ku dhuna ishte e organizuar në sistem dhe ishte mjeti që mbante shoqërinë në rregull.
“Dhuna në tërësi, si instrument edukimi është diçka e njohur kudo dhe natyrisht është përdorur edhe në Shqipëri. Por, ka një ndryshim. Dhuna që hasim shpesh sot, shkon përtej përdorimit të saj për qëllime edukuese. Në mjaft raste ajo shkon në ekstrem dhe duket me shume si shkarkim frustracionesh të prindërve. Ka arsye të shumta që dhuna me të gjitha format e saj është bërë e pranishme deri në raste ekstreme në familjen shqiptare. Një prej tyre është edhe degradimi i shoqërisë dhe frika se fëmijët mund të hyjnë në rrugën e veseve të dënueshme nga ato dhe shoqëria, duke e kthyer frikën në obsesion,” shprehet sociologu.
Në një studim të vitit të kaluar nga INSTAT të titulluar “Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave”, tregohet se 75.8 përqind e grave të pyetura në rang kombëtar, janë dhunuar nga jo partnerë në moshën 15 vjecare dhe ky fenomen ka bërë më pas që ato të dhunohen edhe nga partneri intim. Kjo do të thotë që nëse një fëmijë dhunohet që në moshë të vogël, nuk do të mësohet me forcën për të anashkaluar këtë problem më pas kur të rritet.
Sociologu Mërtiri shton se fëmijët janë shpesh ata që vuajnë më së shumti problemet e shoqërisë. Duke qenë më të dobët, ata shpesh mbajnë dhe vuajnë më shumë problemet e të rriturve. Sipas tij edhe neglizhenca e organeve të rendit dhe prokurorisë si kemi parë në raste të vazhdueshme tregon, jo vetëm indiferencën e zyrtareve të shtetit ndaj problemeve të shoqërisë, por edhe faktin që ata janë vete gjithashtu, produkt i një mjedisi social që është natyralizuar me dhunën. Dhe nuk shqetësohen se si të ndihmojnë në eliminimin e saj, por e pranojnë si një fakt normal, ndaj të cilit ata nuk kanë asnjë arsye për të reaguar.
Irena Shtraza shton gjithashtu se "babai jo-biologjik i vajzës së dhunuar nga nëna na ka dhënë një leksion shumë të mirë". Ajo shpjegon se një nënë mund të jetë e dhunshme po aq sa një baba, dhuna s’është veçori e burrave, është thjesht një sjellje që s’njeh gjini.
“Të jesh burrë nuk do të thotë që s’mund të jesh pre e dhunës nga një grua, dhuna ka shumë forma, nuk ka vetëm muskuj e dorë të rëndë. Ka ardhur koha të tejkalojmë stereotipet gjinore që justifikojnë dhunën prindërore ndaj fëmijëve, dhunën e nënave dhe dhunën ndaj kujtdo!,” shpjegon Shtraza.
Sipas UNICEF në Shqipëri, dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një nga format më të këqija të abuzimit ndaj fëmijëve dhe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. “Dhuna është gjithashtu një sulm moral dhe etik ndaj vlerave tona më të çmuara. Dhuna seksuale çon në shqetësime fizike dhe emocionale, dhe shpesh humbje të parevokueshme të dinjitetit dhe vetëbesimit”, shprehet organizata që merret me të drejtat dhe zhvillimin e fëmijëve.
Vitin e shkuar, UNICEF ripërsëriti shqetësimin lidhur me rastet e fundit të dhunës së rëndë ndaj fëmijëve. Në disa prej këtyre rasteve, çështjet më të ndjeshme u shpërfillën dhe në vend të kësaj, privatësia dhe dinjiteti i fëmijëve u shfaqën publikisht në mënyrë të përsëritur.
Roli i medias, sipas UNICEF, është padyshim një pjesë e domosdoshme e luftës për të parandaluar abuzimin seksual ndaj fëmijëve, megjithatë një publicitet jo i domosdoshëm, i bujshëm për çështje të ndjeshme, mund t’i shkaktojë trauma më të mëdha të mbijetuarve, tashmë të shkatërruar prej abuzimit, si dhe familjeve dhe komuniteteve të tyre në përgjithësi.
Në këtë aspekt, UNICEF ka ripërsëritur thirrjen ndaj të gjitha institucioneve publike dhe jopublike, shoqërisë, profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve dhe gazetarëve që të mbajnë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe në zemër të etikës së tyre profesionale, të garantuar me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës si dhe në Ligjin Shqiptar “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.