Njerez

Dhuna dhe prostitucioni / Pandemia “ferri” i vajzave dhe fëmijëve

Nga Blerina Goce- Bruna ka trup mestar, lëkurë të zbehtë dhe flokë të errët të prerë shkurt. Ajo është e heshtur dhe nuk ka dëshirë të flasë shumë.

Tashmë i ka kaluar të 30-at, por historia e saj u shenjua kur ishte vetëm 15 vjeç.

E rritur në një qytet të Shqipërisë së Mesme, atë e prezantuan me një burrë që punonte në Itali, i cili i premtoi asaj dhe familjes së saj një jetë më të mirë.

Familja e saj jetonte me pak të ardhura në një shtëpi të vjetër, ndërtim i periudhës komuniste.

Bruna dhe prindërit e saj ranë dakord që ajo të emigronte në Itali me atë që u prezantua si bashkëshorti i ardhshëm.

Ajo arriti të të largohej duke përdorur një kartë identiteti të rremë dhe fluturoi drejt Romës.

Pasi kaluan një muaj në Romë, ata u nisën drejt Anglisë, ku do të kërkonin azil si kosovarë.

Në Londër, “bashkëshorti” i Brunës kishte familjen e tij, ndërsa ajo shkoi të punojë në një sauna, që në fakt ishte shtëpi publike.

Ajo kujton se i duhej të punonte tre deri në katër orë çdo ditë.

Por, edhe jashtë “orëve të punës”, ajo detyrohej shpesh të kryente marrëdhënie seksuale në apartament me burra të ndryshëm, gjuhën e të cilëve nuk e fliste.

“E bëra diçka të tillë për më tepër se dy vjet”. Ajo kujton se bënte herë pas here udhëtime në metronë e Londrës.

“I kisha zili vajzat që shihja. Doja të isha e lire, por kisha frikë të ikja. Kisha dëgjuar se ai kishte hedhur nga ura në Itali një vajzë që kishte dashur të largohej”, rrëfen Bruna për gazetën “Si”.

Pasi u sëmur, më në fund Bruna arriti të largohej.

“U sëmura shumë keq dhe duhej të shkoja në spital. Atje kërkova ndihmë nga autoritetet”, thotë ajo.

Bruna ishte me fat që më në fund arriti të shpëtojë, por jo çdo vajzë ka pasur një fund të tillë. Një pjesë e tyre nuk kanë arritur t’ia dalin dhe kanë humbur jetën në përpjekje për të fituar lirinë dhe për të shpëtuar nga dhuna seksuale.

Por dhuna seksuale është vetëm një nga format e dhunës  ndaj vajzave.

Kjo dhunë shfaqet edhe në forma të tjera, si dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, e cila ndodh në hapësira publike dhe private.

Sipas të dhënave nga CRCA- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri janë me qindra gratë dhe vajzat e vrara në Shqipëri në këto vite.

“Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për vrasjet e vajzave e grave. Rreth 90 % e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë dhe rreth 65 % e tyre e kanë përjetuar dhunën në familje ose nga partneri” –raporton Qendra .

Gati e 90 përqind e krimeve seksuale kundër fëmijëve kryhen ndaj fëmijëve-vajza dhe mbi 70 % e fëmijëve-vajza përndiqen nga gjuha e urrejtjes në internet.

“Të jesh grua apo vajzë në Shqipëri është kthyer në një rrezik serioz për jetën. 16 gra dhe vajza nuk i mbijetuan dhunës në familje gjatë vitit 2018. Mbi 100 gra dhe vajza janë vrarë dhe masakruar përgjatë 18 vjetëve të fundit të tranzicionit në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti janë dhënë mbi 4000 urdhëra mbrojtje nga gjykata!”, vëren Ervjola Osmanaj, menaxhere programi pranë CRCA/ECPAT në Shqipëri.

Që prej vitit 2010 në Shqipëri kanë humbur jetën 106 gra dhe vajza, viktima të dhunës në familje, 73 prej të cilave janë vrarë nga bashkëshortët e tyre. Në 90 përqind të vrasjeve autorët janë meshkujt.

Sipas INSTAT, në Shqipëri janë rreth 1.4 mln vajza dhe gra ose gati gjysma e popullsisë.  

“Në Shqipëri dhuna në familje vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë Sipas INSTAT / UNDP mbi 53 % e tyre, ose rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri, deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje. Përmasat e dhunës në familje janë edhe më të mëdha pasi pjesa më e madhe e rasteve nuk denoncohen, për shkak sepse viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje private”, komenton Osmanaj.

Raporti “Krimet seksuale kundër fëmijëve dhe grave në Shqipëri”, evidenton se 61% e viktimave të krimeve seksuale janë fëmijë ndërsa 39% janë të rritur.

Mbi 83% e viktimave të krimeve seksuale në Shqipëri janë vajza nën moshën 18 vjeç.

Kjo lloj dhune është shumëfishuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Sipas Raportit Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”: 88% e të rinjve të intervistuar deklaruan se vajzat dhe gratë ishin viktimat kryesore të dhunës, gjatë pandemisë.

“Pandemia ndikoi tek të gjithë fëmijët, por veçanërisht tek vajzat. Vetëm në më pak se 6 muaj pranë shërbimeve tona janë raportuar më shumë se 20 raste të vajzave të dhunuara dhe të shfrytëzuara seksualisht, 5 raste vetëm gjatë muajit të fundit. Varfëria që sjell COVID i shpie një pjesë të fëmijëve drejt rrugës së prostitucionit, trafikimit dhe shfrytëzimit seksual.”, shprehet për gazetën “Si”, Altin Hazizaj, drejtor i përgjithshëm i CRCA për Shqipërinë.

Përfaqësuesit e CRCA nënvizojnë se “Gjatë pandemisë u shumëfishua edhe ‘cyber-bulling’.”

“Dhuna seksuale dhe pasiguria në Internet ndaj fëmijëve -vajza janë kthyer në makthin e adoleshenteve-vajza anembanë Shqipërisë. Nga njëra anë Kuvendi refuzon të mbrojë fëmijët-vajza nga këto krime, dhe nga ana tjetër autoritetet ligjzbatuese e kanë të pamundur që të marrin në mbrojtje fëmijët-vajza viktima të krimeve në internet. Raporti i CRCA “Krime pa Ndëshkim” i vitit 2018, tregoi se gjuha e urrejtjes ndaj vajzave dhe dhuna seksuale në internet u raportua nga thuajse 70% e fëmijëve-vajza.”, - thekson Ervjola Osmanaj.

Ndikimi negativ i pandemisë në dhunën ndaj fëmijëve dhe veçanërisht vajzave vërehet edhe nga Komiteti Lanzarote i Këshillit të Evropës.

Sipas një deklarate të kryetarit të këtij komiteti, George Nikolaidis, “Ndërsa luftojmë kundër pandemisë COVID-19, duhet të kujtojmë se dhuna ndaj fëmijëve është një tjetër pandemi që shkakton miliona viktima.”

Bleona Mata, fëmija i zhdukur në një fshat të Kukësit

Fëmijët e humbur, së shumti vajza

Deri në maj 2019, 12 fëmijë rezultojnë të humbur dhe të pagjetur, shumica e tyre vajza.

“Bleona Mata, vajza, rasti i së cilës është kaq i njohur për publikun, pavarësisht se me ndihmën e CRCA dhe GMCN ka një identikit të ri, vazhdon të mbetet ende e pagjetur”, vijon Osmanaj.

Vetëm në 3 vitet e fundit, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza.

Dhuna intime mes adoleshentëve

Sipas një studimi të Rrjetit të Fuqizimit të Grave në Shqipëri (AËEN)

mbi dhunën e ushtruar mes të rinjve të moshës 16-19 vjeç, 22 përqind e adoleshentëve, që kanë qenë në një marrëdhënie intime raportojnë se kanë përjetuar dhunë nga partneri i tyre.

Në tërësin e formave të dhunës, vajzat janë abuzuar fizikisht tre herë më tepër se djemtë (18 përqind e të abuzarave fizikisht nga partneri i tyre janë vajza dhe 6 përqind janë djem). Ndërsa 20 përqind e vajzave në krahasim me 8 përqind e djemve janë kërcënuar apo poshtëruar.

“Dhuna familjare, ekspozimi ndaj dhunës, tolerance ndaj sjelljes së dhunshme, përdorimi i substancave, zakonet apo paragjykimet dyfishojnë mundësinë e përjetimit të dhunës në marrëdhënie intime gjatë adoleshencës”, vërehet nga përfaqësues të Rrjetit të Fuqizimit të Grave.

Ata vërejnë se mundësia për të hyrë në marrëdhënie intime të dhunshme në adoleshencë trefishohet midis atyre që kanë përjetuar dhunë brenda familjes.

Të dhënat tregojnë se 43 përqind e të rinjve, që kanë qenë viktima të dhunës në familje janë gjithashtu edhe viktima të dhunës nga partneri.

Një regjistër kombëtar i të dënuarve për krime seksuale

“Shqipëria prej 2 vjetësh është përfshirë nga një sërë skandalesh të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në shkolla, shtëpi fëmijësh apo nga vetë prindërit. Rritja e ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe grave mbi dhunën seksuale, ka sjellë rritjen e raportimeve në polici dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe atyre të dhunës në familje”, vërejnë përfaqësuesit e Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Sipas studimit të CRCA/BECAN: 1 në 10 fëmijë në është viktimë e dhunës seksuale.

Që prej janarit 2019 - qershor 2020 janë raportuar publikisht 66 raste të fëmijëve që kanë rënë pre e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo familjarë të tyre; 3 vajza janë vetëvrarë, dhe vetëm gjatë 2 javëve të fundit janë raportuar 5 raste të tjera – tregojnë shifrat e regjistruara nga Barnahus Shqipëri.

Megjithatë, Shqipëria vazhdon të jetë e papërgatitur për të mbrojtur viktimat e krimeve seksuale.

Për këtë arsye CRCA ka ndërmarrë nismën më të fundit ligjore për parandalimin e këtyre krimeve seksuale ndaj fëmijëve dhe grave.

“CRCA/ECPAT Shqipëri ka që në vitin 2016 që kërkon ngritjen e regjistrit kombëtar të krimeve seksuale, përmes një projektligji”- vëren Altin Hazizi, drejtor i CRCA për Shqipërinë.

Projekt-Ligji synon të parandalojë krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet vëzhgimit dhe kontrollit të lëvizjeve të personave të dënuar apo të vetë-regjistruar si pedofilë. Ai bazohet në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të disa vendeve, si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Irlanda, SHBA dhe Maqedonia e Veriut.

“Regjistri do t’i shërbejë institucioneve publike dhe atyre private, që punojnë me dhe për fëmijët, për të eleminuar punësimin e pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë, ndërsa vetë ligji ka një karakter të fortë social dhe parandalues, duke i dhënë mundësi çdo personi që është pedofil të shmangë kryerjen e krimeve seksuale.”

Së shpejti, versioni final i projekt-ligjit do të paraqitet në Kuvend për të marrë edhe aprovimin e deputetëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë