Futboll

Dhuna dhe banderola e turpit, Disiplina e dënon Tiranën sa për një shishe uji

Pavarësisht apeleve të herëpashershme për sigurinë në stadiume dhe vënien e kushteve të forta për licencimin e tyre, kur vjen puna për të vepruar konkretisht, FSHF-ja ndërron mendje. Komisioni i Disiplinës, pas asaj dhune masive në derbi deri në plagosjen e tifozëve dhe asaj banderole që ndillte urrejtje, e ka dënuar Tiranën sikur të kishte hedhur një shishe plastike në fushë. Dënimi është 4 ndeshje pa tifozë, por praktikisht janë 2 ndeshje, sepse gjysma e dytë e dënimit, në bazë të rregullores, shlyet me pagesë. Dhe një nga 2 ndeshjet e dënimit kalon që sot në Kupë ndaj Shënkollit, kështu që Tiranës i mbetet vetëm 1 ndeshje kampionati. Ishin pamje të frikshme dhunë, që bënë xhiron e botës dhe një banderolë perverse, por edhe këtë herë çudia më e madhe nuk zgjati më shumë se 3 ditë.

“KF “Tirana”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e ndeshjes kundër FK “Partizani”, datë 29.09.2019, duke mos vlerësuar nivelin e riskut, duke mos garantuar zbatimin e ligjit, mbarëvajtjen e rregullit dhe qetësisë në stadium, si dhe për sjelljen e gabuar të spektatorëve duke shfaqur materiale propaganduese, me të cilat kryen provokime me karakter politik dhe shoqëror, dënohet me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 500.000 (pesëqindmijë) lekë. Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, pezullimin e pjesshëm të zbatimit të këtij dënimi duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës e tij”. Ky ishte argumentimi i Komisionit të Disiplinës për vendimin ndaj Tiranës. Me siguri tani klubi kryeqytetas do ta “falënderojë” FSHF-në me një qëndrim zyrtar, siç bëri pas ndeshjes me Teutën.

Banderola e turpshme e tifozëve të Tiranës në derbi. Gazeta Si, 2 tetor 2019

Klubi i Tiranës është urdhëruar gjithashtu të mbyllë pjesërisht stadiumin ”Selman Stërmasi” në sektorin G3 për sezonin futbollistik 2019/2020 dhe të ndalojë hyrjen në stadium të grupimit të tifozëve “Capital Crew”. Hyrja në çdo stadium u është ndaluar përgjithmonë 8 personave, konkretisht Elton Bande, Alban Rexha, Getard Çeliku, Mateos Majani, Aksel Manxhari, Thanas Bendo, Bledar Luga dhe Gentian Qosja. Ky mund të jetë një dënim korrekt nga ana e Komisionit të Disiplinës, por ka skepticizëm për zbatimin e tij dhe nuk e justifikon aspak butësinë e tepruar për aktet e dhunës dhe për banderolën e turpit.

Dënim ka marrë edhe Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve të tij. Të kuqtë janë dënuar me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë dhe me një gjobë në masën 1 milion lekë. Lista e dënimeve është e gjatë këtë herë, pasi është e mbushur edhe me dënime të skuadrave të kategorive inferiore. Qesharak është përfundimi i hetimit për ndeshjen e pak javëve më parë Kastrioti-Egnatia, ku zyrtari i ekipit krutan duket qartë nga pamjet se e godet zyrtarin e ndeshjes, megjithatë nga FSHF-ja është konsideruar tentativë.

Disa nga vendimet e tjera të Disiplinës
Lojtari i KF “Teuta”, Todorovski Blagoja, në bazë të Nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast përsëritje të sjellje jo sportive, do të jetë subjekt i masave që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e tjera.
KF “Luftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të Nenit 65/1, 65/3/c dhe Nenit 65/4/a të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) lek.
Lojtari i KF “Kastrioti”, Abaz Karakaci, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
Lojtari i KF “Veleçikut”, Brajan Shekaj, për goditje ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktivitetet.
KF “Veleçiku”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke shkaktuar ndërprejen e përkohëshme të lojës, në bazë të Nenit 65/4/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës.
KF “Lushnja”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të Nenit 65/1, 65/3/c dhe Nenit 65/4/a të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) lek. Në aplikim të Nenit 116 të KDS, gjoba paguhet në masën 50%.
KF “Turbina”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të Nenit 65/1, 65/3/c dhe Nenit 65/4/a të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) lek. Në aplikim të Nenit 116 të KDS, gjoba paguhet në masën 50%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë