Biznes

464 punonjës më pak në bizneset e Dhomës Amerikane të Tregtisë

Rreth 16 kompani të tjera (9%) po planifikojnë gjithsej 666 pushime nga puna (2.7%) në 2 muajt e ardhshëm, nëse situata nuk përmirësohet.

Prej 224 kompanive (38 mijë punonjës) që janë anëtare të Dhomës Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), janë hequr nga listpagesat këtë periudhë si pasojë e krizës që ka shkaktuar Covid-19, 464 punonjës ose 1,9 % e fuqisë punëtore ekzistuese.

Vetë Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri bënë me dije rezultatet e një anketimi të zhvilluar javën e kaluar..

Referuar rezultatit të anketimit, 175 kompani ose 78% e bazës së anëtarëve të AmCham morën pjesë në studim . Nga 175 kompani pjesëmarrëse, 30 kompani (17%) kanë zbatuar tashmë disa shkurtime pune gjatë periudhës Mars – Prill, ndërkohë një shumicë e madhe (83%) po i mban të gjithë punonjësit. Ndikimi ndryshon në varësi të sektorit, por një ndikim më të madh kanë sektorët e turizmit, ndërtimit, shërbimeve dhe transportit.

Një numër i konsiderueshëm i anëtarëve deklaruan një gatishmëri për të mbrojtur punonjësit, duke i parë ata si kapital i çmuar njerëzor. Anëtarët e AmCham konfirmuan se do t’i konsiderojnë pushimet nga puna vetëm si masë e fundit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanive shprehën shqetësimin për të ardhmen e afërt.

Rreth 16 kompani të tjera (9%) po planifikojnë gjithsej 666 pushime nga puna (2.7%) në 2 muajt e ardhshëm, nëse situata nuk përmirësohet.

Nëse zbatohet, këto shkurtime do të rrisnin numrin e përgjithshëm të humbjeve të vendeve të punës për anëtarët e AmCham në rreth 4.6% të forcës së punës të kombinuar. Asnjë nga kompanitë nuk raportoi plane të menjëhershme për të deklaruar falimentim.

Dhoma e Amerikane e Tregtisë në Shqipëri thotë se reagimet e anëtarëve kanë bërë që AmCham të bëjë rekomandime mbi politikat e Qeverisë Shqiptare dhe se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe do të nxjerrë përditësime periodike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë