Biznes

Dhoma e Tregtisë propozon paketë të tretë për të shpëtuar vendet e punës

Dhoma sugjeorn që me kontributin e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve të krijohet një fond prej 100 milion EUR për mbështetjen e kompanive me potenciale investimi dhe tregu për eksport. Po ashtu kërkon edhe amnisti totale të parasë së padeklaruar për një periudhë të caktuar për shtetasit shqiptarë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i propozon qeverisë hartimin e një pakete të tretë të ndihmës ekonomike duke shpjeguar që fokusi të jetë, jo vetëm mbështetja për të shpëtuar vendet e punës, por që biznesi të sigurojë të ardhura financiare për likuiditet dhe për rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

“Kërkohet thellimi i masave dhe ndërhyrjeve më të fuqishme financiare, duke u përqëndruar në sektorët e industrive prodhuese, sektorin e turizmit, bujqësisë, agropërpunimit, dhe transportit publik  me synimin për t’u përballur me emergjencën dhe masa afatgjata që synojnë rimëkëmbjen ekonomike në tërësi.”- thotë Nikolin Jaka kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë që përfaqëson mbi 40% të bizneseve në shkallë vendi.

Propozimi përmban 15 pika që nisin me pezullimin e detyrimit të parapagimit të TVSh-së në doganë për importin e mallrave, reduktim në 20% I faturave të ujit dhe dritave, shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit deri në normën e interesit në masën 0,2% për garancinë sovrane 2.

Propozimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

1.Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e mallrave;.

2. Të pezullohet kësti i parapagimit të tatim- fitimit për vitin 2020, në sektorët e 

    lartpërmendur;

3.Të bëhet menjëherë rimbursimi i TVSH-së së prapambetur;

4. Të likuidohen nga entet publike të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit qershor 2020, si dhe të shlyhen  në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë të anulluar me apo pa rishikim buxheti.

5. Të shtyhen deri në fund të vitit 2020, të gjitha pagesat për taksat dhe tarifat për pushtetin vendor;

6. Të reduktohet deri në masën 20% çmimi i energjisë elektrike  dhe ujit deri në fund të vitit 2020;

7. Të hiqet taksa e pasurive, sidomos të ndërmarrjeve të prodhimit dhe atyre që kanë sipërfaqe të mëdha, ku kjo taksë rëndon së tepërmi ;

8. Të behet shtyrja automatike e pagesave të kredive apo overdrafteve deri në fund të vitit 2020 në të gjithe sistemin bankar, si dhe të mundësohet aksesi për hua me interes  jo më të lartë se 0,5% (përfshirë kostot administrative), me procedura të përshpejtuara;  

9.Të shfuqizohet  Protokolli i Kuq mbi masat Higjeno Sanitare COVID-19 për Biznesin Fason, si një protokoll jo realist dhe i  pazbatueshëm në praktikë;

10. Për vijueshmërinë normale të punës në sektorin e fasonit qeveria të marrë përsipër dezinfektimin e ambjenteve të punës dhe mbikqyrjen mjekësore;

11. Të përjashtohen nga pagesa e taksës, sektori i Hotelerisë/turizmit (lek/krevat);

12.Të filloje nga puna transporti publik/urban qytetas për lëvizjen normale të punonjësve në sektorët e industrive prodhuese në mëngjes 06.00-07.30 dhe në drekë 16.00-17.30;

13. Shtyrja e taksave vjetore,siguracioneve dhe licencave  të autobuzave së paku me 6 muaj;

14. Të ofrohet  për transportin publik blerja e naftës pa akcizë, deri në fund të vitit 2020;

15. Garancia sovrane duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0.2%; ndërsa për ato sipërmarrje që duan të aplikojnë për kredi për likuidimin e pagave të punonjësve, norma e interesit duhet të jetë 0%. Shlyerja e kësaj kredie  duhet të fillojë në janar 2021, kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më i lartë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredimarrëse.

DHIA propozon që brenda garancisë sovrane duhet përfshirë sektori bujqësor. Gjithashtu, thotë ajo, garancia sovrane duhet të mbulojë në mënyrë specifike gratë sipërmarrëse, që vuajnë shumë sot nga mungesa e likuiditetit.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë e shikon si të domosdoshme hartimin e një plani strategjik afatgjatë për rimëkëmbjen e ekonomisë pasi sipas saj, do ulte pasigurinë në tregun financiar, operatorët ekonomikë do të krijonin pritshmëri për të ardhmen, me projeksione bazuar në një risk të menaxhueshëm dhe do të ndikonte në përmirësimin e klimës së tërheqjes së investimeve të huaja. DHIA sugjeron për këtë ngritjen e një komisioni të përbërë nga ekspertë në fushën e ekonomisë dhe biznesit, përfaqësues nga qeveria, biznesi, shoqëria civile dhe diaspora.

Dhoma mendon se integrimi në tregjet globale duhet të përbëjë boshtin e planit strategjik për rimëkëmbjen ekonomike, duke u fokusuar në rritjen e produktivitetit, të konkurueshmërisë, inovacionit  dhe diversifikimit të produkteve në tregjet për eksport, por duke përfshirë specifikisht edhe gruan sipermarrëse.

Po ashtu Dhoma sugjeron që me kontributin e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve të krijohet një fond prej 100 milion EUR për mbështetjen e kompanive me potenciale investimi dhe tregu për eksport.

Nga ky fond, në formë granti deri në 20.000 EUR për kompani, t’u ofrohet  me qëllim për implementimin e standardeve, çertifikimin e  produkteve dhe shërbimeve.

Një sugjerim tjetër është krijimi i një fondi garancie për kreditimin e sektorëve ekonomik prioritar prej 500 milion EUR për tu lehtësuar aksesi për kredi për bizneset që operojnë në sektorin e turizmit, industrive prodhuese, bujqësisë, shërbimeve, transportit dhe specifikisht për gratë sipërmarrëse etj.

Fondi i garancisë të operojë deri në 5 vjet, të krijojë kushte lehtësuese kreditimi, për një periudhë mospagimi deri në 1 vit, me interesa 0-1 %.

Dhoma sugjeron po ashtu emetimin e obligacioneve dhe të incentivohen bizneset që i drejtohen tregut te kapitaleve për të kerkuar fonde duke u listuar në Bursë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë propozon edhe krijimin e një fondi/banke kombëtar/e të zhvillimit me një kapital të injektuar nga qeveria, investime të tjera dhe me masën monetare të përftuar prej aplikimit të një amnistie të plotë të parasë. Kushti për pranimin e amnistisë do të jetë përdorimi i parasë që do të legalizohet në obligacione qeveritare dhe në bankën e zhvillimit, sipas kushteve të përcaktuara në propozimet përkatëse. Qëllimi i amnistisë sipas Dhomës, është sigurimi i financimeve publike me një kosto të ulët për tu përballur me emergjencën si dhe sigurimi i fondeve për ringritjen ekonomike.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë