Loja “macja me miun” për kontrollin e godinës së Bashkisë së Devollit vijon. Kryetari i kësaj bashkie i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Eduard Duro ka hyrë në zyrë rreth orës 06:00 të mëngjesit për të shmangur përplasjen me protestuesit e opozitës.
Megjithatë, për të vazhduar qëndrimin në këtë zyrë, ai ka kërkuar ndihmën e forcave të policisë, pasi ish-kreu i kësaj bashkie, Gledian Nallbati dhe mbështetës të tij u tubuan para godinës së bashkisë. Policia u vendos tek hyrja kryesore e godinës, ndërkohë që brenda saj u vendosën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Tensionet dhe përleshjet munguan, por me një “ritëm” më të ulët në krahasim me një ditë më parë. Këtë herë, në krye të mbështetësve të opozitës u vendos për disa orë edhe vetë Lulzim Basha.
“Pakica kriminale 6 % ka uzurpuar si hajdute godinën e bashkIsë së Devollit. Shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Devolli dhe nga e gjithë Shqipëria. Me pushtimin e bashkisë si hajdut, me pushtimin e pushtetit vendor si kriminel dhe me tentativën për t’i mbivendosur vullnetit të mbi 94% të qytetarëve të Devollit, vullnetin e kriminelëve dhe hajdutëve që mezi e nxorën 6% të votave në procesin e paligjshëm dhe antikushtetues të 30 qershorit”, tha ai.
Protestuesit qëndruan për disa orë, ndërsa brenda në godinë, kryebashkiaku i ri ishte thuajse i vetëm pa administratë, pasi shume nga punonjësit e bashkisë ndodheshin në protestë. Bashkia e Devollit është fortesa e parë e bashkive që aktualisht kontrollohen nga opozita dhe që pas 30 qershorit duhet të lirojnë zyrat.
Në Kavajë protestuesit nuk lejuan kryebashkiakun e ri që të hyjë në zyrat e Bashkisë, ndërsa në Rrogozhinë, bashki që kontrollohet nga PDIU, kryebashkiaku në largim, Beqir Nuredini zgjodhi të mos përplasë protestuesit me policinë dhe e liroi vetë zyrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.