Muzike

“Deutschland”, Rammstein i fshikullon të gjithë

Ka plot rock-banda që mund të tërheqin miliona njerëz t’u dëgjojnë këngët mbi marrëdhënien dashuri-urrejtje për vendlindjen e tyre. Por, Gjermania mund të jetë i vetmi vend ku kjo temë shkakton një debat serioz mbi identitetin kombëtar dhe lirinë e shprehjes.

Rammstein, banda e famshme gjermane e rrymës muzikore “hard rock” publikoi videoklipin e këngës së parë që prej 2011. E titulluar “Deutschland”, klipi prej 9 minutash është klikuar 31 mln herë deri në momentin që po shkruajmë këtë artikull.

Banda shquhet për klipet provokuese, të mbushura me dhunë e skena të tjera, që shpesh kanë nxitur debate të mëdha. I tillë ëshë edhe rasti i “Deutschland”, një version i mbushur me dhunë i historisë së Gjermanisë, që nis me fitoren në betejën mes fiseve gjermanike dhe legjionëve romake në Teutoberg, e deri tek shteti policor i Gjermanisë Lindore.

Mes këtyre dy ngjarjeve, historia e Gjermanisë njeh edhe shumë pika kulmore, pozitive e negative. Që të gjitha këto pika shfaqen në videoklipin e Rammstein përpara syve të “Mbretëreshës Gjermani”, që portretizohet nga një aktore me ngjyrë e teatrit “Bertolt Brecht”.

Përzgjedhja e aktores nuk ka qenë rastësore, por një goditje e mirëllogaritur ndaj nacionalistëve gjermanë që përputhet plotësisht me mesazhin që përcillet në këngë. Në videoklip, “Mbretëreshës Gjermani” herë i shkëlqen parzmorja në betejë, herë bie pre e kanibalëve që ushqehen me mishin e saj, e herë lind një qen.

Vetë anëtarët e bandës shfaqen në video herë si të dënuar në kampet e përqëndrimit, e herë si ekzekutues nazistë me në sfond kampet famëkeqe të Luftës së Dytë Botërore.

Banda ka ndërhyrë edhe te vargjet e himni gjerman, duke i përshtatur ato sipas mesazhit që përcjell. Vargjet e famshme “Gjermania mbi të gjitha” janë përshtatur në “Gjermania mbi të gjithë”, si slogan kundër kultit të individit dhe rritjes së nacionalizmit të ekstremistëve të AFD-së.

Klipi cek tema të nxehta të shoqërisë gjermane dhe nga ajo pjesë e kritikës që e ka vlerësuar kënga cilësohet jo vetëm si himn i mospajtimit me dukuritë negative, por edhe një paralajmërim se historia rrezikon të përsëritet nga orekset dhe ambiciet e individëve të veçantë për pushtet.

Por jo të gjithë e kanë mirëpritur videoklipin. Në Gjermani u ndez një debat mbi etikën dhe nga ekstremistët e djathtë banda të akuzohej se për bujë e famë kishte përdhosur simbolet e vendit, ndërsa nga aktivistët e majtë se kishte promovuar kampet famëkeqe të nazizmit.

Vetë rock-banda ka qenë e gjetë dhe e qartë në mesazhin e përcjellë dhe i qëndron versionit të klipit që ka publikuar, një version +18 në Youtube.

 

Më Shumë