Ngjarje

Detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorit – Ku është koka e oktapodit që doli nga makina e tij

Për rastësi , edhe  rruga që të çon në vendin ku u gjet makina e braktisur e atentatorëve të prokurorit Ndoja quhet rruga e “Lalëzit”, sepse edhe një nga shtigjet që po ndjekin hetuesit për të zbardhur ngjarjen nëntorit , janë pikërisht tokat në Gjirin e Lalëzit. Një zonë e lakmuar dhe “mbipopulluar” me kërkesa për pretendime pronash, aq edhe e “mbipopulluar” me  përplasje e ngjarje kriminale. Nëse vërtetohet se edhe kësaj radhe është një përplasje pretendentësh , atëherë ky është një rikonfirmim se të fortët janë kthyer në sekserë që të gjejnë të drejtën jashtë dyerve të gjyqit. Gazeta “Si” kontaktoi me anëtarë  të grupit të hetimit që kanë si pistë hetimi kryesore,  atentatin me motiv pikërisht zotërimin e pronave në bregdetin e Durrësit.  Hetuesit i thanë gazetës “Si” se pas atentatit, pasi braktisën makinën me të cilën kryen krimin “Vrasësit u larguan me një ‘Benz’ të bardhë, targat e të cilit janë të vjedhura”. Pas qindra veprimeve aktive të grupit të hetimit që po tenton të hedhë dritë mbi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mikut të tij Aleksandër Laho, “Rrumi” dhe shoferit të tij, Andi Maloku, kamerat e sigurisë tregojnë se si autorët u larguan nga fshati Shkafanë me një makinë tjetër, e cila është shpallur në kërkim së bashku me targat që më herët ishin të shpallura në kërkim si të vjedhura. Ata nga burimet operative kanë zbuluar se tre autorët dhe “ndihmësshoferi” , janë kthyer mbrapsht, duke lënë të padëmtuar automjetin e krimit.

Burime të sigurta të policisë i treguan gazetës “Si” se pas atentatit të dështuar, autorët kishin zgjedhur një xhep rruge në Shkafanë me idenë se aty do digjej. Së paku, kjo është përshtypja që iu është krijuar ekspertëve gjatë rikëqyrjeve dhe veprimeve hetimore, por edhe përgjigjeve të marra nga laboratori i kriminalistikës.

Çfarë shkoi keq? Pse atentatorët nuk e dogjën makinën?

Ata e kishin menduar ta digjnin mjetin në Shkafanë dhe gjithçka ishte llogaritur mirë. Makina ‘Benz’ ishte vjedhur në fillim të muajit shtator dhe nga ekspertiza në të është kuptuar se makina e vjedhur dhe me targat sërish të vjedhura AA 342 nga një makinë tjetër, ishte i modifikuar. “Ne mendojmë se një grup kriminal që merret me vjedhjen e automjeteve dhe të targave, ka kopjuar çelësin në bazë të shasisë, mendojmë që ky grup i specializuar për ngjarje të tilla vepron në qytetin e Lushnjës”, deklaroi në anonimitet një burim i policisë.

Makina e atentatorëve

Njëri nga individët që po kërkohet pasi përdor të njëjtin mekanizëm për modifikimin e makinave dhe të njëjtën formulë për vjedhje është shtetasi  J. S. një 39 vjeçar, i cili ka mjaft probleme në qytetin e tij për shkak se përflitet si i përfshirë  në ngjarje kriminale kundër grupit të Aldo Bares. Nëse vërtetohet që J. S ka marrë pjesë në grabitjen e mjetit në një qytet verior shpjegoi eksperti i policisë, atëherë ai ka rol si bashkëpunëtor vetëm për pjesën e sigurimin e mjetit në krim, sikurse është gjetja e automjetit. Por përse vrasësit nuk e dogjën këtë ‘Benz’ në ngjyrë gri në të cilin u gjetën maska, kallashnikovë dhe lëndë djegëse? Eksperti shpjegon për gazetën “Si” mbi dyshimet paraprake , “sepse diçka shkoi keq”. “Ne mendojmë që pasi kanë mbërritur në vendin ku ata kishin planifikuar ta digjnin, mjetit nuk i është hapur bagazhi ku gjendeshin shishet me benzinë. Diçka e tillë ndodh në mënyrë të paparashikuar në rastet kur kopjohen çelësa sipas shasisë: “Mjeti bllokohet dhe ky ka qenë shkaku se përse ata kanë lënë edhe çelësat në kuadro”, tregon më tej i njëjti burim. Siç duket vrasësit kanë pasur orën e vështirë atë të premte sepse “Që në çastin kur kanë qëlluar me kallashnikov, njëri prej tyre është bllokuar dhe diçka e tillë u konstatua edhe gjatë këqyrjes”, tregon më tej burimi pranë laboratorit të Policisë Kriminale. Policia dhe prokuroria këmbëngul se veç gjurmës së gishtit për Redjan Rrajën ka po ashtu edhe gjurmë të tjera që do t’u nënshtrohen analizave të ADN-së për të ndërtuar profilin gjenetik të dy vrasësve të tjerë,  aktivë në atentat. Se cili është identiteti i dy të dyshuarve të tjerë që po kërkohen , kjo mbahet mjaft sekret.

Pse kontrolle në Lushnjë dhe Tiranë?

Policia jep detaje duke thënë për gazetën “Si “se në Tiranë janë kontrolluar shtëpi pas dyshimeve se në këtë atentat mund të ketë gisht edhe Durim Bami, një nga personat më problematikë nga Nikla që besohet se mund të ketë ofruar ndihmë për grupin kriminal që ishte në kërkim të “vrasësve me pagesë”.

Fotografi ilustruese , Durim Bami

Nuk e kemi ende të vërtetuar nëse Bami i ka orientuar apo jo “të interesuarit drejt Redjan Rrajës dhe të tjerë, por ajo që dimë është se Nikla është një nga bazat që ofron vrasës me pagesë”, evidentoi më tej një kriminalist. Pa gjetur një arsyetim se përse Nikla vazhdon të jetë sfida e autoriteteve, kriminalisti për të mbështetur argumentin përmend aksionet e mirëmenduara policore në këtë fshat, disa shtëpi të njerëzve problematikë në lagjen ‘Zezë’, që vëzhgohen me kamera, por edhe për faktin që në Nikël përherë aksionet zhvillohen nga forcat speciale. Por veç kontrolleve nga  RENEA në Nikël , policia kishte të dhëna se Durim Bami strehohej në kryeqytet ndaj edhe disa banesa u “krehën” edhe pse nuk pati rezultat. Befasisht u krehën edhe shtëpi në Lushnjë ku jeton shtetasi J. S , i cili ka rekorde edhe në fusha të tjera të krimit.

Tokat e Gjirit të Lalëzit

Por a mund të ketë lidhje atentati me çështjen e tokave në Gjirin e Lalëzit. Gazeta “Si” mësoi  se hetuesit janë në kërkim të çdo pjesëze që do të plotësojë e do të bëjë të qartë gjithë panoramën. Për shkak se prokurori Ndoja  dhe “Rrumi” hamendësohet  mund të kenë lidhje me disa lëvizjet për pronësi tokash në Gjirin e Lalëzit, policia ka zbarkuar edhe në Gjykatën e Durrësit për të parë nëse ka pasur apo jo procese gjyqësore për një tokë rreth 200 hektarët, për të cilën gjatë betejës gjyqësore ngeli i vrarë pas një atentati me bombë në makinën e tij edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Makina e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në flakë pas atentatit të 9 shtatorit 2011. Gazeta Si, 7 nëntor 2019

Ka dyshime paraprake se të dyja palët kundërshtare që pretendojnë për tokën që njeh një luftë të madhe gjyqësore, gjenden sërish përballë në Gjykatën e Durrësit. Madje, javën e kaluar ka pasur edhe proces gjyqësor ku kërkohet regjistrimi i dhjetëra hektarëve në favor të njërës palë. Një burim pranë Gjykatës së Durrësit i tregoi gazetës “Si” se seanca e fundit gjyqësore u zhvillua pikërisht një ditë para atentatit dhe pala e paditur janë të afërm të gjyqtarit të Vlorës . Ky fakt me shumë mundësi mund të shpjegojë se përse në makinën e prokurorit Ndoja gjendej dosja e fotokopjuar e çështjes së tokave, për të cilat ishte angazhuar më herët edhe gjyqtari vlonjat Skerdilajd Konomi. Dyshimet e ekspertëve të hetimit janë që “me shumë mundësi përmes studios së bashkëshortes prokurori mund të ketë ofruar ndihmë për këtë çështje” që gjithsesi mbetet ende një dyshim.

Por ndërkohë ….

Moment kur “Rrumi” nxirret i plagosur nga makina pas atentatit, gazeta “Si” , 7 nentor 2019

Sikurse kanë avancuar hetimet gjatë këtyre orëve të fundit nuk përjashtohet mundësia që siç ka ndodhur edhe më herët, një grup i fuqishëm të ketë ndërhyrë sapo ka marrë vesh aktivizimin e “Rrumit”  gjithashtu një eksponent i fuqishëm dhe me influencë, që ndodhej në makinën e prokurorit ditën e atentatit. “Grupi” që ka kërkuar vrasësit, nëse ka ndodhur kështu , mund ta ketë urdhëruar vrasjen jo për interesa të tij, por për persona të tjerë më me pushtet. Por ekspertët shmangin të japin emra dhe detaje, pasi hetimet po zhvillohen në një sekret të plotë dhe me shumë mundësi mund të ketë edhe surpriza të mëdha. Këto surpriza  mund të burojnë nga këqyrjet e tabulateve të prokurorit dhe të “Rrumit”, përmes të cilave hetuesit synojnë të zbulohet se pranë kujt ishin ata dhe nëse ata po luanin një lojë ku çdo lëvizje në të po kryhej për tokat dhe përplasjen e madhe.

Agjentë dhe sekrete

Me kapele Mond Voga i akuzuar për dhunën ndaj avokatit Ilia Ilia me prokurorin Arjan Ndoja

Megjithëse nuk mund të konfirmohet plotësisht, një tjetër burim tjetër  i tha gazetës “Si” se “Rrumi” për shkak të ngjarjeve që po ndodhnin në botën e errët të Durrësit, ai po ndiqej gjithashtu këmba-këmbës edhe nga agjentë të shërbimit informativ”. Kjo do të thotë se autoritetet kanë informacion për çfarë po ndodhte, por ende nuk kanë prova të shkojnë te bosët e mëdhenj. Nëse do t’i qëndrohej këtij version me agjentë sekretë, një arsyetim faktesh të çon edhe në pikëpyetjen tjetër: A mund të ketë ndodhur që edhe gjatë atentatit, Shërbimi Informativ të ketë parë çfarë ndodhi në autostradë dhe të ketë sinjalizuar policinë për vendin ku u braktis automjeti? Gjithçka është një ajsberg, ku dhe pjesa e sipërme e tij po bëhet më e padukshme. Për të zbuluar motivin dhe bosët që dhanë urdhrin e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte në makinë me të fortin e Sukthit  e ku në bagazh ndodheshin dosjet e tokave të gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, së pari duhet parë cilët janë gjyqtarët që kanë gjykuar çështjet e tokave në Durrës. Po prokurorët që i kanë hetuar ato dhe cilat janë lidhjet mes tyre?

Ky shkrim është e drejtë e gazetës “Si” dhe mbrohet nga të drejtat e autorit. Nuk lejohet përdorimi dhe as riprodhimi pa pëlqimin e autorit .

Më Shumë