Dështon sërish seanca gjyqësore për Ahmet Ajetin, organizatorin e një atentati ndaj Lulzim Berishës.
Kjo është hera e tretë që seanca ndaj Ajetit dështon. Ky i fundit akuzohet se në vitin 2005 ka bërë një atentat për vrasjen e Lulzim Berishës.
Ajeti është dënuar në mungesë me 20 vjet burg për tentativë vrasje dhe u ekstradua nga Lipjani i Kosovës, në Shqipëri 4 muaj më parë. Pas ekstradimit, Ajeti kërkoi rihapjen e çështjes, dhe rishqyrtimin e dosjes në prani të tij.
Shkak për shtyrjen e seancës së sotme është bërë mosnjoftimi i Lulzim Berishës nga ana e policisë, pasi nuk gjendet në banesën e tij në Durrës. Policia e Durrësit ka kontaktuar edhe me motrën e Lulzim Berishës, por ajo i ka thënë se i vëllai është jashtë vendit.
Lulzim Berisha u lirua me kusht nga Gjykata e Lartë në vitin 2017. Gjatë kësaj kohe, ai duhet të mbajë konktakte me shërbimin e provës. Përveç ripërsëritjes së thirrjes për Berishën, gjykata do të dërgojë edhe një shkresë te shërbimi i provës në Durrës për të saktësuar nëse Berisha paraqitet në këtë institucion sipas vendimit të gjykatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.