Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev njoftoi se do të vazhdojë përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen e emrit me Greqinë përmes parlamentit, pavarësisht se nuk arriti të bindte votuesit të dilnin në referendumin historik të së dielës.
Bazuar në të gjitha votat e numëruara nëpër qendrat e votimit, të cilat u mbyllën në orën 19:00, Komisioni Shtetëror Zgjedhor raportoi se pjesëmarrja e votuesve ishte 36.84 për qind, shumë më poshtë se 50 përqindshi i nevojshëm që referendumi të konsiderohet i ligjshëm. Komisioni njoftoi rezultatet e referendumit, duke thënë se 91.33 për qind e votesve ishin në favor të marrëveshjes me Greqinë dhe 5.76 kundër paktit që mund t’i japë fund bllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO .
Sidoqoftë, si qeveria socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev ashtu dhe partia kryesore e opozitës, VMRO DPMNE-ja, e cila vendosi të bojkotojë votimin në minutën e fundit, shpallën fitoren.
Në një fjalim publik pas mbylljes së votimeve, Zaev tha se e diela ishte një fitore për “Maqedoninë Evropiane”, duke këmbëngulur se mbizotërimi i votave “pro” i jepte legjitimitet për hapin e ardhshëm të zbatimit të marrëveshjes: miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament për të aprovuar emrin e ri të vendit. Zaev nuk përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. “Tani e ka radhën parlamenti, për dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë dy të tretën e votave, atëherë alternativa jonë e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi ai.

Në një konferencë për shtyp pas mbylljes së votimeve, Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se qytetarët maqedonas ia deleguan vendimmarrjen deputetëve të Kuvendit. Ashtu si dhe aleati i tij i madh, Kryeministri Zaev, ai tha se nëse nuk arrihet një konsensus me deputetët e VMRO DPMNE-së në Kuvend, atëherë nuk ngelet gjë tjetër veçse të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. “
“E diela ishte shumë e rëndësishme për vendin tonë, uroj qytetarët maqedonas, institucionet dhe gjitha partitë që kontribuuan për mbarëvajtjen e referendumit. Ne treguam kapacitetet për integrimin në NATO dhe BE. Ky proces i reformave të barazisë garanton paqe të qëndrueshme, marrëdhënie të mira, investime. Unë dhe BDI-ja kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit. Qytetarët e vendit ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit të Maqedonisë dhe deputetëve. Ne jemi të zgjedhur që të marrin vendime të rëndësishme dhe jo të kalkulojmë zgjedhjet e ardhshme. Kuvendi do të përcaktojë të ardhmen e vendit tonë dhe Europës Juglindore. Në zgjedhjet e fundit ne u zotuam për zhvillim ekonomik dhe prosperitet. Kjo përbërje e Kuvendit ka mandat për zgjidhjen e çështjeve me fqinjët dhe me vendim e tyre. Qytetarët deleguan vendimmarrjen tek deputetët dhe institucioneve të vendit”, tha Ahmeti.

Në selinë e partisë kryesore të opozitës, e cila zyrtarisht nuk pati ndonjë fushatë për referendumin, të dielën mbrëma kishte festë. Kreu i VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski deklaroi se referendumi kishte dështuar dhe se kishte ekspozuar politikat e gabuara të qeverisë.
” Marrëveshja për emrin nuk mori dritën e gjelbër nga njerëzit,” deklaroi ai pak pas mbylljes së votimeve. Megjithatë, Mickoski nuk qartësoi nëse pranon thirrjen e hapur të rivalit të tij për zgjedhje të parakohshme.
Reagimi i parë zyrtar nga bashkësia ndërkombëtare erdhi nga komisioneri i zgjerimit të BE Johannes Hahn. “Unë u uroj qytetarëve që votuan në referendumin konsultativ dhe shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Shumica e votave pro i dhanë mbështetje Marrëveshjes Prespës dhe rrugës Euro-Atlantikut të vendit”, shkruan Hahn në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.