Futboll

Dermaku nuk lëviz më nga formacioni, Memushaj e Balaj golat kuqezi

Pas asaj paraqitje shumë të mirë në ndeshjen debutuese në Serinë A ndaj Xhenoas, Kastriot Dermaku ka fituar besimin e trajnerit të Parmës, D’Aversa, për të qenë titullar. Konfirmimi për lojtarin kuqezi ishte aktivizimi në një ndeshje shumë të vështirë, siç ishte transferta me Interin, ku Parma barazoi 2-2. Vlerësimi për Dermakun ka qenë mjaft pozitiv. Ai ishte lojtari më i mirë në mbrojtje për Parmën, ndërsa më mirë se ai kanë bërë vetëm sulmuesit Zhervinjo dhe Karamoah.

Dermaku është vlerësuar nga shtypi sportiv italian me notën 6.5. “Një paraqitje e mirë për kualitetin e lojës dhe gjendjes fizike. Mbyll mirë me kokë ndaj Lukakut dhe ruan pozicionin me shumë kujdes. Gabon pak”. Ky ishte përshkrimi për lojën e Dermakut në “San Siro”, ku Parma ishte në avantazh 1-2, por në fund doli me një pikë, që gjithsesi është e çmuar për këtë skuadër. Parma mban vendin e 7-të aktualisht në tabelën e renditjes, me 13 pikë. Është shumë pranë zonës europiane, ndërsa mbrojtësi i Kombëtares po e shfrytëzon në mënyrën më të mirë shansin që i është dhënë si nga trajneri Edi Reja te kuqezinjtë, ashtu edhe nga D’Aversa te Parma.

Memushaj shënon me penallti ndaj Beneventos. Gazeta Si, 27 tetor 2019

E shtuna ishte një ditë e mbarë edhe për dy lojtarë të tjerë të Kombëtares, mesfushorin Ledian Memushaj dhe sulmuesin Bekim Balaj. Vlonjati shënoi golin e parë me penallti në fitoren e thellë të Peskarës 4-0 ndaj Beneventos. Ai është një nga pikat kyçe të skuadrës së tij, që renditet e teta në Serinë B. Po në këtë kampionat, Veseli ishte pa fat, pasi shkaktoi autogol në shtesë për Empolin në fushën e Trapanit, duke i hequr fitoren pa dashje skuadrës së tij. Sulmuesi shkodran, Bekim Balaj, gjeti golin me penallti në Austri, në fitoren 0-4 të Shturmit në fushën e St.Polten. Keidi Bare dhe Armando Sadiku ishin titullarë në fitoren 2-1 të Malagas ndaj Oviedos. Të dy u ndëshkuan me karton të verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë